Finlanda dhe Suedia dorëzojnë aplikimet për anëtarësim në NATO

Bruksel, 18 maj 2022 – Finlanda dhe Suedia zyrtarisht kanë aplikuar që të anëtarësohen në aleancën e NATO-s. Përfaqësuesit e dy shteteve kanë dorëzuar aplikimet në selinë e aleancës në Bruksel.

Vendimi i dy shteteve nordike, që kanë qenë neutrale, u nxit pas shqetësimeve të sigurisë për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

“Unë mirëpres ngrohtësisht kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ju jeni partnerë të ngushtë”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi mori aplikimet zyrtare për anëtarësim nga ambasadorët e dy shteteve nordike.

Stoltenberg e cilësoi këtë lëvizje si “ditë historike”.

Procesi i pranimit pritet të zgjasë dy javë, ndërkaq ratifikimi në parlamentet e 30 shteteve anëtare deri në një vit, kanë thënë diplomatët.

Pavarësisht se procesi i pranimit pritet të marrë kohë disa javë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po kundërshton anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës.

Nëse tejkalohen shqetësimet që ka Turqia dhe nisin bisedimet e anëtarësimit, atëherë këto dy shtete mund të bëhen anëtare brenda muajsh. Procesi zakonisht merr kohë tetë deri në 12 muaj, por NATO dëshiron që të lëvizë shpejt, duke pasur parasysh kërcënimin që paraqet Rusia për këto dy shtete nordike.

Opinioni publik në Finlandë dhe Suedi mbështeti në mënyrë masive anëtarësimin, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

(REL)