Finlanda do të aplikojë për anëtarësim në NATO

Helsinki, 15 maj 2022 – Finlanda dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s dhe do të aplikojë për anëtarësim në këtë organizatë.

Kështu thanë presidenti Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin, në një konferencë të përbashkët për medie, të dielën, më 15 maj.

“Sot, presidenti i Republikës dhe Komiteti për Politikë të Jashtme i Qeverisë janë pajtuar që Finlanda të aplikojë për anëtarësim në NATO, pas konsultimeve me Parlamentin. Kjo është një ditë historike. Është hapur një epokë e re”, tha kryeministrja Marin.

Ajo tha se të dy kanë qenë në kontakt të ngushtë me udhëheqës të vendeve anëtare të NATO-s dhe me drejtues të vetë NATO nga të cilët kanë marrë mbështetje.

Kryemninistrja Marin shprehu bindjen se Parlamenti i vendit do të marrë vendimin për aplikim, të cilin ajo e cilësoi si “vendim historik”.

“Ne në Finlandë e kemi ende përpara procesin parlamentar, por besoj se parlamenti do ta debatojë me vendosmëri dhe përgjegjësi mbi këtë vendim historik”, tha ajo.

Parlamenti finlandez pritet ta mbështesë vendimin gjatë ditëve në vijim.

Javën e kaluar, Presidenti dhe Kryeministrja finlandeze u shprehën dëshirën për anëtarësim në NATO.

Finlanda, e cila ka një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë, ka qenë ushtarakisht neutral prej 75 vjetësh. Por, prej se Rusia nisi agresionin ndaj Ukrainës, më 24 shkurt, opinionin publik dhe politik në këtë vend ndryshoi në mënyrë dramatike dhe u kthyer në favor të anëtarësimit në NATO.

Rusia ka thënë se do të ishte vendim i gabuar i Finlandës anëtarësimi i saj në aleancën ushtarake perëndimore dhe se kjo do të dëmtonte marrëdhëniet midis dy vendeve.

Por, presidenti finlandez, Niinisto, tha se anëtarësimi i vendit të tij në NATO “nuk do të ishte kundër askujt”. Ai tha se ishte Moska ajo që e detyroi Finlandën të kërkojë të bëhet pjesë e NATO-s.

 “Ju e shkaktuat këtë. Shikonie veten në pasqyrë”, iu përgjigj ai Moskës.

(r.m.)