Finlanda është e gatshme t’i japë Ukrainës avionë luftarakë

Kiev, 11 mars 2023 – Mediat në Finlandë kanë raportuar se kryeministrja Sanna Marin është e gatshme të diskutojë sigurimin e avionëve luftarakë për Ukrainën.

Marin, e cila e vizitoi Kievin më 10 mars, tha se Helsinki planifikon të blejë 64 avionë modernë F-35A për t’i zëvendësuar 62 avionë Hornet, të cilët, sipas saj, mund t’i jepen Ukrainës, por tha se diskutimet janë ende në fazën fillestare.

Për muaj të tërë, Ukraina ka kërkuar nga aleatët e saj avionë modernë luftarakë.

Gjatë bisedimeve në Paris, më 8 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje në mënyrë specifike liderëve perëndimorë që të siguronin avionë luftarakë.

“Unë ju bëj thirrje juve dhe botës, me fjalët e thjeshta por të rëndësishme – avionë luftarakë për Ukrainën, krahë për lirinë”, tha ai.

Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania u shprehëm kundër kësaj kërkese.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë.

Gjithashtu, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se SHBA-ja nuk do të dërgojnë avionë luftarakë F-16 në Ukrainë.

Por, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca nuk e përjashton dërgimin e tyre nëse plotësohen disa kushte.

Më 6 mars, kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, tha se është në favor të furnizimit të Ukrainës me avionë luftarakë.

Në janar, Gjermania u pajtua për të dërguar tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Polonia, Spanja, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia dhe disa shtete të tjera pritet që këtë muaj të dërgojnë tanket e tyre Leopard në Ukrainë.

(REL)