Fitorja është gjysmake sepse diktatura nuk u përmbys

Mendime për veprën e Pëllumb Kullës “Jo të gjithë të vdekurit prehen në paqe”

 

Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika

Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika

Pëllumb Kulla, është një nga shkrimtarët tanë, që u dallua në vitet e diktaturës për nivel të lartë artistik, kurse mbas shkërmoqjes së diktaturës, po ecën jo në vijë orizontale ose zbritëse, por në vijë ngjitëse. Ashtu si Visar Zhiti, Fatos Kongoli, Roland Gjoza e pak të tjerë, Kulla po ecën drejt niveleve të reja gjithnjë e më të larta si krijues letrar dhe si studiues në fushën e historisë dhe të analizave politiko-shoqërore. Ai po shquhet mbi të gjithë këta për kurajon e tij civile lidhur me kritikën që i bën së sotmes, politikanëve rozë e blu.
Për vijën e tij ngjitëse dhe kurajon civile flasin vëllimi me skica humoristike Rrëfenja nga Amerika (2003), romani satirik Vdekja e Enver Hoxhës (2008), studimi i gjatë Teatri, kjo lojë magjepsëse (vëll.I-III më 2007 dhe vëll. IV më 2011), monografia shkencore Skënder Sallaku, ose si qeshnim në diktaturë (2002),. një mori e madhe artikujsh dhe vepra e re Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe (2012).
Kjo vepër është një studim historik mpleksur me analiza kritike të proceseve politiko-shoqërore nëpër të cilat kaloi shoqëria shqiptare në vitet 1943-2011. Aty janë dhënë me mjeshtëri portrete atdhetarësh e njerëzish të ndershëm të familjes Kulla, të cilët shteti diktatorial i pushkatoi, i vari, i vdiq në tortura e sipër, i dënoi me qindra vjet burgime e internime, ose i detyroi të merrnin rrugën e arratisjes e tani së fundi dhe rrugën e shpërnguljes. Të shumta janë portretet e bijve të kësaj familjeje të përshkruar me realizëm, që të ngjallin respekt e dashuri për bëmat e qëndresën e tyre. Jonuz Kulla plaku, Ajdini, Xheviti, Fehmia, Hodoja, Vedati si dhe disa të rinj, që po shkëlqejnë pas atdhesimit të ri këtu në Amerikën e largët si Gëzimi, Erbori, Enxhi, etj. Vepra mbyllet me riprodhimin e disa dokumenteve, për të mbështetur të vërtetat historike që ajo trajton. Tiparet e saj dalluese janë argumentimi logjik e faktik i ngjarjeve, konkluzionet e drejta, si dhe ndërtimi me një gjuhë sa shkencore po aq dhe artistike.
Duke qenë talent humoristik i lindur, Kulla u mor gjatë në teatrin e Fierit, për aq sa i lejohej, me trajtimin e temave aktuale, me goditjen e veseve, e zakoneve të këqia, e anëve të pamoralshme të shoqërisë. Rrahja në mënyrë të vijueshme e problemeve aktuale, e ka ndihmuar atë që në thelb të karakterit të tij krijues, të ketë mosarratisjen nga aktualiteti, pra luftën për t’i shërbyer së sotmes, kohës kur ai jeton e shkruan. Mesazhet e veprave të tij na ndihmojnë drejtpërsëdrejti për t’u kthjelluar lidhur me kuptimin e dukurive të sotme dhe për të gjetur një zgjidhje më të mirë për nesër.
Si shumica e krijuesve dhe studiuesve të shquar edhe ai është qytetar me ndërgjegje të lartë që ka si parim themelor: Indiferenca është antihumanizëm, është krim, parim ky i cili i bën këta njerëz armiq me qeveritarët, sepse ata përpiqen t’i thonë popullit të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, kurse qeveritarët shpesh herë gënjejnë dhe duan vetëm duartrokitje e lavdërime. Qeveritarët dhe politikanët nuk kuptojnë se kritikat konstruktive sado të hidhura të jenë, ato janë shumë më të vlefshme se lajkat e duartrokitjet e servilëve. T’u mbash mëri e të mos i vlerësosh të paktën me një pension të vecantë, krijues dhe studiues si P. Kulla, do të thotë të mos jesh politikan i ekuilibruar, të jesh zemërak e qefmbetës.
Ahmet Zogu, kur i vlerësoi kritikët e kundërshtarët e vet, Faik Konicën e Fan Nolin, duke u propozuar poste të larta si ambasador të parit dhe kryepeshkop të kishës Orthodokse Shqiptare të dytit, u tregua diplomat e politikan i një niveli më të lartë se qeveritarët dhe politikanët tanë të sotëm, të cilët nuk i honepsin kritikat e P. Kullës dhe të kritikëve të tjerë objektivë, të cilët përpiqen t’i lënë mënjanë, pa i vlerësuar. Për të kuptuar këtë lënie në hije dhe mos vlerësim të intelektualëve të shquar si P. Kulla, S. Repishti, L. Pervizi, E. Merlika, M. Korca, Gj. Gjolekaj, Ilir Dardani, I. Karanxha, A. Cefa, K. Trabohini, etj, etj, që punojnë në diasporë pa u servilosur qeveritarëve e as opozitarëve, mjafton të përmendim se asnjë prej tyre nuk merr pension special nga shteti shqiptar, asnjë prej tyre nuk u ftua në manifestimet e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe as që u përmend në ndonjë nga listat e 100 personave eksellece që shpallën qytetet shqiptare gjatë këtyre manifestimeve.
Për të kuptuar cilësinë e verës së një buti mjafton të pijmë disa gllënjka prej saj, kështu edhe Pëllumb Kulla për të na treguar karakterin pervers të diktaturës shqiptare, dëmet e mëdha që ajo i krijoi popullit tonë në plan moral, ekonomik e politik, ai i jep ato duke treguar shkatërimin e familjes së madhe atdhetare të Kullajve, vëllezërve dhe pasardhësve të Jonuz Kullës, të cilët i kishin shërbyer çështjes kombëtare si mbrojtës me armë në Kongresin e Manastirit, si luftëtarë të çetave kryengritëse kundës zgjedhës osmane, si bashkëpunëtorë të Themistokli Gërmenjit për krijimin e Republikës Shqiptare së Korçës, etj. Shkaku i kësaj rokopuje ishte fakti se intelektuali i shquar Ajdin Kulla, djali i vogël i Jonuzit, kishte qenë shok klase në Normalen e Elbasanit me Nevzat Haznedarin nga Tërova. Ajdini, si nxënës i shkëlqyer kishte ngjallur zilinë e Nevzatit, nxënësit mediokër, njeriut që veshi këmishën e zezë të fashizmit në vitet 1940-1942, kurse më vonë u lidh me forcat komuniste dhe për të fituar besimin e PKSH e të udhëheqësit të saj, bëri gjithfarë vrasjesh e krimesh me një zell të papërmbajtur. Mbas luftës ai u emërua prokuror e më vonë arriti gradën e gjeneralit në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kur ishte në pension ai vijoi të aktivizohej prej Ministrisë së P. B. për të torturuar e pushkatuar ish shokët e te luftës, viktimat e radhës, si Beqir Ballukun me shokë…
Ashtu si e pësuan prej Enver Hoxhës gjithë ata që dinin dobësitë e tij, po ashtu me dënime kapitale e pësuan edhe ata që dinin dobësitë e Nevzat Haznedarit, apo të besnikëve të tjerë të Enverit. Hakmarrës që nuk i kishte parë historia jonë e as ajo botërore, polli sistemi diktatorial komunist. Edhe pse nëna e vet i tha Nevzatit: Ki mëshirë dhe ndihmoi Kullat, se bukën e tyre e kemi akoma nëpër dhëmbët tona, ai dënoi e pushkatoi me dorën e tij shumë prej Kullave, midis të parëve, Ajdinin, yllin e karvanit të Kullave, sepse ai dinte dobësitë e tij. E arrestoi, e gjykoi dhe i dha dënimin me vdekje sepse kishte qenë ballist… koshient i Shqipërisë etnike. (Vlen të nënvizojmë këtu gjestin fisnik të Presidentit Topi, që në prag të lënies së detyrës së tij shtetërore dekoroi Ajdin Jonuz Kullën, me titullin e lartë “Nder i Kombit” duke përmbushur kërkesa të shumta për vlerësimin e këtij martiri të rrallë, i vizatuar në libër me dashuri e përpikmëri).
Për të justifikuar dënimet, njerëzit e krimit komunist krijonin një karakteristikë me pak fjalë për të ngjallur urrejtjen e popullit ndaj familjeve që duheshin persekutuar pambarimisht, në breza. Për Kullat u gjet formula: Ka strehuar Mbretin Zog gjatë largimit për në Greqi kur u sulmua Shqipëria prej Italisë Fashiste. Kjo karakteristikë i ndoqi Kullat brez pas brezi deri në fundosjen e diktaturës, madje edhe vetë autorin e librit…
Për t’i bërë më bindëse dhe më emocionuese ngjarjet dhe faktet, autori riprodhon të gjalla disa nga kujtimet e Kullave, si kujtimet e Sami Kullës, i cili ka qenë dhe nismëtari i kësaj vepre, grindjet e Vedatit me nëpunësin e emigracionit amerikan në Conecticut, etj, madje ai riprodhon dhe pjesë të tëra nga biseda imagjinare e Koço Devoles me Enver Hoxhën që gatitën Pëllumbi me Koçon dhe që e shfaqën me aq sukses këtu në Amerikë, etj. Në shërbim të këtij qëllimi është dhe shfrytëzimi i antitezës midis karakterit të lartë moral e atdhetar të bijve e bijave të Kullave dhe kundërshtarëve të tyre si Haznedari, që nuk rreshti së përndjekuri dhe dënuari Kullat; si dhe sekretarët e partisë në Zëmblak që nuk rreshtën së dërguari letra në qendër për t’i kujtuar partisë se Kullat ishin reaksionarë dhe tradhëtarë, etj.
E veçanta e Pëllumb Kullës, si thamë, është se ai nuk mjaftohet me vënien në dukje të krimeve gjatë kohës së diktaturës, ai shpalos me po aq vërtetësi e mëri edhe padrejtësitë e kohës së sotme, kohës mbas theqafjes së diktaturës, kur pritej përkrahja, rigjenerimi i familjeve të përndjekura, kthimi i dinjitetit të tyre, por forcat politike që erdhën në pushtet mbas 1991-it bënë pak në këtë drejtim…
Riprodhimi në kopertinë të librit i pamjes ballore të shtëpisë së Kullave në Zëmblak, ndërtuar madhështore më 1920, dhe e lënë pa asnjë përmirësim prej pushtetit lokal që e shtetëzoi gjatë diktaturës dhe që e mban edhe sot si një gjysmëgërmadhë, e krahasuar me shtëpitë e reja që kanë ndërtuar Kullajt e shpërngulur në Waterbury CT pranë parkut të këtij qyteti, shërben si një figurë pamore për të dëshmuar se diktatura shkatërroi, por edhe pasdiktatura nuk ndertoi atë që duhej.
Pronarët e vjetër të tokave dhe pasurive të tjera që i pati shtetëzuar diktatura, sot kanë marrë shumë pak, ato pasuri sot i kanë ndarë dhe po i gëzojnë komunistët e bijtë e nomenklaturës komuniste. Duke e vënë gishtin pikërisht në kjo plaga e fundit, autori mbërrin në përfundimet e veta të drejta: fitorja mbi diktaturën ishte një fitore e dhuruar, një fitore që nuk erdhi si pasojë e përmbysjes nga forcat e brendshme, shkërmoqjen e saj na e sollën rrethanat ndërkombëtare dhe forcat e jashtme. Në Shqipërinë e sotme nuk gjejnë dot hapësirë jetike forcat politike që vijnë nga radhët e të përndjekurve, ata që përbënin dhe përbëjnë forcat e vërteta opozitare të regjimit komunist. Ata janë degdisur me maryfete të ndryshme në diasporën e re, ose mbahen brenda vendit, por larg prej lojës politike. Në lojën politike pozitë – opozitë bëjnë pjesë vetëm ish komunistë, ish sigurimsa dhe bijtë e tyre, të cilët po e mashtrojnë popullin duke e shpallur veten të përndjekur, të shpronësuar, etj, etj. Me pak fjalë, Shqipërinë e sotme po e gëzojnë po komunistët me pasardhësit e tyre, ashtu si paratha Ramiz Alia, formuluesi i Katovicës shqiptare, para se të fillonin proceset e shpërbërjes së diktaturës.
Mesazhet e thella të veprës të nxitin të mendosh se gjatë Luftës Antifashiste paskej qenë më e lartë të ishe radhitur si antifashist në krahun e nacionalistëve të ndershëm, sepse gjatë asaj lufte dhe sidomos gjatë dhjetëvjeçarëve të sundimit komunist, ish partizanët dhe komunistët e ndershëm u transformuan prej një grushti drejtuesish kriminelë në vegla qorre, në njerëz pa moral që ndiqnin, spiunonin, torturonin e vrisnin njerëz të pafajshëm, shqiptarë, që e donin atdheun po aq sa ata, në mos më shumë. E quajtura luftë e klasave ishte vetëm një parodi kriminale gjatë së cilës besnikët e partisë, të armatosur me pushtet, polici, Sigurim, gjyqe, burgje, kampe internimi, hartim biografish, etj, etj, luftonin për të mbajtur nën zap brez pas brezi njerëzit e paarmatosur, njerëzit që kishin ndonjë lidhje me kundërshtarët e dikurshëm të PKSH-së. E në këtë të quajtur luftë, besnikët e partisë varfëroheshin gjithnjë e më shumë nga tiparet e humanizmit, kurse të dënuarit i forconin këto tipare, për të cilat ka pasur dhe ka aq shumë nevojë shoqëria njerëzore.
Lidhur me të sotmen vepra të nxit të ndërgjegjësohesh, ashtu si është ndërgjegjësuar Pëllumb Kulla, ky ish simpatizant e përkrahës i zjarrtë i djeshëm PD-së dhe sot një kritik objektiv i saj. Qeveritarët e PD-së duhet të kuptojnë se sot nuk është më si në kohën e shpërthimeve romantike, koha e mbështetjes dhe e përkrahjes së tyre me tifozllëk të tepruar e viteve 1991-1997. Sot, mbas 20 vjetësh nga shkërmoqja e diktaturës, populli kërkon që qeveritarët dhe politikanët demokratë të veprojnë si forcë e djathtë europiane dhe jo më si e djathtë e dalë prej partisë komuniste, ata duhet të përpiqen seriozisht për t’u shkëputur prej mendësisë së tyre të kaluar dhe të luftojnë për t’ua kthyer pronat pronarëve të vërtetë, kurse vetes dhe qytetarëve t’u japin dinjitetin e merituar, sidomos njerëzve të artit e të shkencës që punojnë në fusha të vështira, ku janë bërë aq shumë shtrembërime nga kalemxhinjtë e diktaturës dhe forcat armiqësore të jashtme.
Qeveritarët dhe politikanët e sotëm të PD-së, duhet të luftojnë seriozisht për t’ua kthyer realisht, jo vetëm në letër, pronat pronarëve të vërtetë, t’ i gjallërojnë dhe afrojnë te perndjekurit si forcë politike, t’u japin qytetarëve, sidomos artistëve e studiuesve, dinjitetin e merituar. Përndryshe ajo gjysma e popullit që i ka votuar, në vend që të shtohet mund të pakësohet…