Fituesit e Globit të Artë

Hollivudi festoi mbrëmë disa nga arritjet më të mira të vitit në film dhe televizion. Ceremonia e ndarjes së Çmimeve Globi i Artë, që u zhvillua në Los Anxhelos, solli disa të papritura, veçanërisht në kategorinë e filmit më të mirë. Globi i Artë është një parathënie e Çmimeve Oscar që ndahen në muajin shkurt:
Një ndër të papriturat e natës ishte fituesi për dramën më të mirë kinematografike, ku u zgjodh “Argo”, një film mbi përpjekjet për të liruar 6 diplomatë amerikanë gjatë krizës së pengjeve në vitin 1979. Me Globin e Artë u nderua edhe regjisori i filmit, Ben Affleck.
“Të mjerët” fitoi në kategorinë e komedisë apo muzikalit më të mirë, ndërsa dy aktorë në rolet kryesore të muzikalit, Hugh Jackman dhe Anne Hathaway fituan Globin e Artë për interpretimin e tyre.
Para fillimit të mbrëmjes, filmi “Lincoln” ishte ndër favoritët me shtatë kandidatura për Globin e Artë, por arriti të sigurojë vetëm një, në kategorinë e aktorit më të mirë, për Daniel Day Lewis, i cili interpreton Linkolnin. Por filmi pati një reklamues të veçantë mbrëmë, një ish-president amerikan që nderoi rolin e udhëheqësit të periudhës së Luftës Civile:
“Beteja e Presidentit Linkoln për t’i dhënë fund skllavërisë na kujton se përparimi i suksesshëm arrihet nga ndërthurja e parimit me kompromisin. Ky film i shkëlqyer na tregon se si e arriti ai këtë dhe na jep shpresë se do ta arrijmë përsëri”, tha ish-Presidenti Bill Clinton i cili prezantoi kandidaturën e filmit gjatë ceremonisë.
Jessica Chastain fitoi në kategorinë e aktores më të mirë për lojën e saj në filmin “Zero Dark Thirty” i cili ka shkaktuar polemika të shumta për mënyrën se si përshkruan ngjarjet që çuan në vrasjen e Osama bin Ladenit.
Filmi “Amour” u zgjodh në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, ndërsa kënga “Skyfall” seriali i ri me agjentin 007, fitoi Globin e Artë si kolona më e mirë zanore. “Skyfall” interpretohet nga artistja britanike Adele, njëkohësisht edhe bashkautore e këngës.
Kandidaturat për Globin e Artë zgjidhen nga Shoqata e Gazetarëve të Huaj në Hollivud dhe ndiqen me vëmendje nga industria e argëtimit, pasi janë një parathënie për fituesit që do të zgjidhen për çmimet Oscar. Megjithatë, ka gjithmonë edhe përjashtime. Ben Afflect fitoi Globin e Artë për rolin e tij si regjisor i filmit Argo, por nuk ka shanse për Oscar, pasi nuk është ndër kandidatët për çmim. Dhe megjithëse filmi i tij konkuron, tradita tregon se filmi nuk fiton ndonjëherë Oscar, nëse edhe regjisori nuk është në konkurim për çmim. Ceremonia e Çmimeve Oscar zhvillohet më 24 shkurt.

(VOA)

Comment

*