Fituesit e Lotarisë Amerikane – Të marrësh një green card

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

U themi fituesve të vizës së shumëllojshmërisë (DV) të cilët banojnë në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara: Aplikoni nëpërmjet USCIS-it 

Programi i vizave emigruese të shumëllojshmërisë (lotaria amerikane) ndan çdo vit gati 50,000 viza emigruese të cilat përzgjidhen në mënyrë të rastësishme mes morisë së kërkesave nga persona që janë nga vende me shkallë të ulët emigrimi në Shtetet e Bashkuara. Lotaria amerikane është nën administrimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së (DOS). Shumica e fituesve të lotarisë amerikane nuk jetojnë në SHBA dhe emigrojnë aty vetëm pasi kërkesa e tyre është proçesuar nga konsullata e cila u ka lëshuar dhe vizën emigruese. Megjithatë, çdo vit, ka dhe një numër të vogël fituesish të lotarisë amerikane të cilët në kohën kur e “fitojnë lotarinë” gjenden në Shtetet e Bashkuara me status joemigrues apo me një status tjetër të ligjshëm. Për këta fitues që gjenden në Shtetet e Bashkuara, është Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) që merret me proçesimin e aplikimeve për ndreqje statusi.

Që një aplikant të ndreqë statusin (të marrë green card) nëpërmjet programit të shumëllojshmërisë (DV), ai ose ajo duhet të provojnë që:

  • Janë përzgjedhur për vizë të shumëllojshmërisë nga lotaria e DOS-it;
  • Me të dërguar aplikimin për green card (Formulari I-485, Application to Register Permanent Residence or Adjust Status) atyre u vihet menjëherë në dispozicion një vizë emigruese; dhe
  • Janë persona që u lejohet të hynë në Shtetet e Bashkuara.

Disponueshmëria e vizave 

Për të parë nëse ka viza në dispozicion, kontrolloni buletinin e fundit të përmuajshëm të vizave që ka nxjerrë DOS-ja. Seksioni B i këtij buletini përmban një tabelë e cila tregon vizat emigruese të shumëllojshmërisë që janë në dispozicion atë muaj. Tabela tregon dhe kur arrihet numri maksimal i vizave në dispozicion. Kur arrihet kjo pikë, vizat atë muaj do të jenë në dispozicion për ata aplikantë të lotarisë amerikane që kanë numër rendor më të vogël se numri maksimal i vizave të vëna në dispozicion për rajonin gjeografik të cilit këta aplikantë i përkasin.  Seksioni C përmban një tabelë që tregon numrin maksimal të vizave emigruese DV për muajin në vijim, diçka që shërben si njoftim paraprak lidhur me numrin e vizave DV të disponueshme. Me të dalë buletini i përmuajshëm i vizave, kushdo që ka numër rendor më të vogël se numri maksimal që tregohet në seksionin C kualifikohet për të aplikuar për green card. Kjo u jep mundësinë fituesve të lotarisë që të aplikojnë për green card gjashtë deri në shtatë javë përpara se t’u caktohet një numër vize. Kjo i jep USCIS-it më shumë kohë për të vendosur përpara mbarimit të vitit tatimor nëse kualifikoheni ose jo për green card. Gjykimi i aplikimit për green card nëpërmjet lotarisë amerikane nuk mund të bëhet deri në momentin kur është caktuar një vizë, siç tregohet dhe në numrin maksimal të vizave emigruese të shumëllojshmërisë në dispozicion të buletinit të vizave për muajin përkatës. 

Për të vendosur nëse kualifikoheni ose jo për të marrë green card përmes programit të vizave të shumëllojshmërisë sa kohë që gjendeni fizikisht në Shtetet e Bashkuara, mund të informoheni më mirë duke vizituar faqen e internetit të USCIS-it në adresën www.uscis.gov  Jo të gjithë aplikantët e kanë mundësinë për të ndrequr statusin në Shtetet e Bashkuara.

Nëse USCIS-i konfirmon që kualifikoheni për ndreqje statusi, duhet të caktoni menjëherë një takim pranë zyrës lokalë të USCIS-it duke kontaktuar USCIS Contact Center në numrin 1-800-375-5283, ose duke vizituar faqen e internetit të USCIS-it. Nëse keni probleme me dëgjimin, ju lutemi të kontaktoni TDD-në në numrin 1-800-767-1833. Zyra lokale e USCIS-it do t’ju japë udhëzime për mënyrën se si duhet të veproni. Nuk do të jetë e nevojshme të kontaktoni qendrën konsullore të Kentucky-it për udhëzime apo informacion të mëtejshëm nëse kualifikoheni dhe bëni kërkesë për ndreqje statusi në Shtetet e Bashkuara.

Nëse USCIS-i vendos që kualifikoheni për ndreqje statusi, do t’ju kërkohet t’i paguani Departamentit të Shtetit një tarifë të parimbursueshme për vizën e shumëllojmërisë. Kjo tarifë llogaritet që mbulon shpenzimet administrative që i dalin Departamentit për programin DV dhe nuk ka të bëjë me tarifat që do t’ju duhet t’i paguani USCIS-it për aplikimin për green card. Tarifa në fjalë duhet paguar për veten dhe secilin prej anëtarëve të ngushtë të familjes që gjithashtu kanë ndërmend të ndreqin statusin në Shtetet e Bashkuara. Tarifa për vizën e shumëllojshmërisë duhet paguar e plotë përpara se të vijohet me proçesimin e çështjes suaj. Ndiqni udhëzimet në faqen përkatëse të internetit që merret me pagesën e tarifës për ndreqje të statusit. Kur të shkoni për intervistë me USCIS-in merrni dhe faturën që ju kanë postuar. Në çekun e garantuar nga banka ose në urdhrin e pagesës, ju lutemi të shënoni numrin e çështjes suaj për vizë DV. Adresa në formularin e faturës duhet përdorur vetëm për të kryer pagesën e tarifës. Në rastin kur merrni green card në Shtetet e Bashkuara, nëse fëmijët apo bashkëshorti/ja jetojnë jashtë Shteteve të Bashkuara, ata mund të kualifikohen për të aplikuar për vizë emigruese shumëllojshmërie pranë konsullatës apo ambasadës amerikane jashtë SHBA-së, gjithnjë nëse i keni përfshirë në kërkesën e paraqitur në internet për vizë DV. Por ka dhe disa përjashtime. Megjithatë, ambasada apo konsullata amerikane nuk mund të proçesojnë aplikimet e anëtarëve të familjes suaj pa u njoftuar më parë nga USCIS-i që ju vetë e keni ndrequr statusin tuaj. USCIS-i nuk e njofton automatikisht ambasadën apo konsullatën amerikane që statusi juaj është ndrequr dhe që anëtarët e familjes suaj tashmë do të aplikojnë jashtë SHBA-së për vizë për të bërë bashkimin familjar. Ju vetë duhet t’i kërkoni USCIS-it që ta njoftojë ambasadën apo konsullatën amerikane të vendit ku familja do të paraqesë aplikimin, dhe më pas ambasada apo konsullata do t’ju japin udhëzimet e mëtejshme. Ambasada apo konsullata amerikane duhen njoftuar edhe lidhur me adresën ku anëtarët tuaj të familjes mund të kontaktohen për të caktuar intervistën. Ju kujtojmë që bashkëshorti/ja dhe/ose fëmijët duhet të aplikojnë dhe të marrin vizat emigruese përpara 30 shtatorit të vitit në fjalë, që është dhe data e mbylljes së programit të vizave të shumëllojshmërisë për atë vit. Siguroheni që ambasada apo konsullata amerikane do ta marrë në kohë njoftimin nga USCIS-i që të mund të proçesojë vizat përpara se të mbarojë viti i lotarisë amerikane. Pas kësaj date ata nuk kualifikohen më qoftë për të aplikuar qoftë për të marrë vizë nëpërmjet këtij programi. Anëtarët e familjes që jetojnë jashtë shtetit duhet t’i paguajnë tarifat përkatëse për viza emigruese DV pranë ambasadës apo konsullatës së SHBA-së ku do të marrin vizat. Tarifat për këta anëtarë të familjes nuk duhet të paguhen në Shtetet e Bashkuara.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]