Flet një i mbijetuar nga aksidenti i autobusit në Bullgari

Një nga të mbijetuarit nga aksidenti i tmerrshëm në Bullgari ku gjetën vdekjen 46 persona ka rrëfyer momentin tragjik.

Siç ka thënë ai, në momentin e aksidentit është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Unë dhe shtatë pasagjerë tjerë kemi mundur të ikim nga autobusi i aksidentuar ndërsa tjerët nuk mundën të iknin”, ka thënë ai, gjatë një bisede që ka pasur me kryeministrin Zoran Zaev.

Përndryshe, sot në vendin e quajtur Pernik në Bullgari ka ndodhur një aksident i tmerrshëm i një autobusi nga Maqedonia e Veriut.

Nga ky aksident tragjik, kanë humbur jetën 46 njerëz nga Maqedonia kurse rreth 20 prej tyre raportohet se kanë qenë të rinj.

Shkaku i përplasjes është duke u hetuar ndërkohë që në raportimet lokale është thënë se autobusi mund të ketë goditur një parmak.

Incidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes, në orët e para të mëngjesit të së martës.

Një zyrtar nga spitali në Sofje ka thënë se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi./Telegrafi/