Florian Toti: Jo të gjitha vdekjet gjatë pandemisë lidhen me Covid-19

Tiranë, 14 prill 2021 – Që prej fillimit të pandemisë, në mars të vitit 2020, shkalla e vdekshmërisë në Shqipëri ka shënuar një rritje alarmante. Sipas Instat, gjatë kësaj periudhe kanë vdekur mbi 10 mijë persona mbi mesataren e tri viteve të fundit, 2016-2019.

Profesor Doktor Florian Toti, mjek endokrinolog në QSUT, thotë se jo të gjitha vdekjet lidhen drejtpërdrejt me Covid-19.Ai e bazon këtë bindje në një studim të kryer së fundi te të sëmurët kronikë me sëmundje të brendshme.

Të dhënat e studimit zbulojnë uljen e theksuar të shërbimeve shëndetësore gjatë vitit pandemik 2020, përfshirë edhe shtrimet në spitale të pacientëve kronikë, çka sipas mjekut ka lidhje indirekte me vdekshmërinë e rritur.

Nga të dhënat që jep mjeku, me të drejtë shtrohet pyetja: përse ranë shërbimet dhe shtrimet? Ishte mungesa e kapaciteteve, e personelit mjekësor apo frika nga infektimi në ambientet spitalore, gjë që është dokumentuar me infektimin masiv që preku thuajse të gjitha strukturat e shëndetësisë terciare në 6 mujorin e parë të vitit 2020.

Dr. Toti thotë se nuk ka asnjë dëshmi se pacientëve u është refuzuar shërbimi mjekësor, edhepse pohon se bluzat e bardha kanë punuar pa mjetet e duhura të mbrojtjes personale ndaj koronavirusit.

Vetëm një ditë më parë në Shqipëri nisi vaksinimin e të sëmurëve kronikë që trajtohen me dializë, sepse prioritet i qeverisë në procesin e vaksinimit ishin mjekët, personalitetet, mësuesit, pedagogët, fashat moshore 80,70,60 dhe gazetarët. Pra, vetëm pas katër muajsh është hapur drita jeshile për vaksinimin e të sëmurëve kronikë, vdekja e të cilëve përbën mbi 90% të vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19.

Në Shqipëri janë disa qindra mijëra të sëmurë kronikë, prej tëcilëve mbi 80 mijë janë të sëmurë nga diabeti.

(r.m.)

Comment

*