FMN: Sivjet, bruto prodhimi vendor në Kosovë pritet të rritet 7-8 për qind

Prishtinë, 5 nëntor 2021 – Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Gabriel Di Bella, ka thënë se bruto prodhimi vendor pritet të rreth 7-8 për qind këtë vit.

Sipas Di Bellas, kjo vije kryesisht për shkak të lëvizshmërisë së ripërtrirë dhe mbështetjes së jashtëzakonshme ndaj diaspora.

“Pas një tkurrjeje rreth 5 për qind viteve të kaluara, bruto-prodhimi vendor real në Kosovë parashikohet të rritet nga 7-8 për qind këtë vit, kryesisht për shkak të lëvizshmërisë së ripërtrirë dhe mbështetjes së jashtëzakonshme nga diaspora. Ne veçanti kur e shohim diasporën dhe kur e krahasojmë atë me nivelet e parapandemisë, remitancat gjatë gushtit këtë vit janë rritur për rreth 40 për qind dhe turizmi me rreth 50 për qind. Krahas kësaj, programi i suksesshëm qeveritar i vaksinimit ka kontribuuar në fitimet e lëvizshmërisë dhe mobilitetit. Kosova ka pasur shkallën më të lartë të vaksinimit në tërë Ballkanin Perëndimor në tetor dhe rekomandohet që të vazhdohet ky program më vitin 2022 financuar nëpërmjet një alokimi buxhetor për të siguruar vaksina shtesë për ta rritur mbulueshmërinë”, deklaroi Di Bella.

Sa i përket inflacionit, Di Bella beson se kjo rritje të vazhdojë deri në mesin e vitit 2022 dhe pastaj të zbutet gradualisht.

“Sa i përket inflacionit, ndryshe nga ajo që ka ndodhur më 2020, inflacioni është rritur dhe besojmë që këtë vit do të përfundojë me 5 për qind rritje. Lëvizja e çmimeve në naftë ka ndikuar shumë, por edhe rritja e çmimeve të ushqimit në gjysmën e parë të vitit 2021 ka pasur një ndikim të madh. Në gjysmën e parë të vitit 2021 kemi parë një përshpejtim në rritje të çmimeve të energjisë ën Evropë, por Kosova ka qenë paksa më e izoluar nga kjo rritje megjithatë disa kompani kanë pësuar nga kjo rritje e çmimeve për shkak të lidhjes së tyre me çmimet rajonale dhe ndërkombëtare të energjisë elektrike. Ajo që presim sa i përket inflacionit është që të vazhdojë një rritje deri te diku mesi i viti 2022 pastaj të zbutet gradualisht. Për sa i përket sektorit bankar, sektori bankar ka mbetur mjaft i qëndrueshëm në përgjithësi gjatë tërë periudhës së pandemisë gjë që është lajm shumë i mirë. Por, duhet pasur parasysh që këta indikatorë më shumë janë të lidhur me reagimin e politikave të pandemisë dhe përkundër mungesës së këtyre rreziqeve sistemike, ka cenueshmëri të caktuara që lidhen me rritjen e shpejtë të kredi-dhënies nga bankat më të vogla”, përfundoi ai.

(r.m.)

Comment

*