Fondacioni Barnes, një përjetim intim, ndryshe i artit

Philadelphia, qyteti i arteve

Sadik Elshani

Qyteti i Philadelphias në radhë të parë është i njohur anembanë botës si vendlindja e ShBA-ve, ku më 4 korrik të vitit 1776 është shpallur pavarësia nga Anglia. Si kryeqytet i parë i Amerikës, Philadelphia është e njohur edhe si qytet ku janë themeluar institucionet e para të shtetit amerikan. Por, Philadelphia është e njohur edhe si “qytet i arteve”, me një numër të madh të muzeumeve të pasura me vepra arti, teatrove, galerive, akademive e shkollave të artit, si dhe orkestrës simfonike me famë botërore, Philadelphia Orchestra, e njohur për cilësinë karakteristike të zërit të saj. Njëra ndër këto institucione artistike është Fondacioni Barnes (Barnes Foundation), që është një kolekcion i pasur privat dhe institucion edukues për promovimin (përparimin), përjetimin dhe vlerësimin e artit. Ky kolekcion i pasur dhe i llojllojshëm arti gjer në vitin 2012 ka qenë i vendosur në një ndërtesë të posaçme në paralagjen Merion (disa kilometra nga qendra e qytetit), ndërsa po nga ai vit është vendosur në ndërtesën e re në Benjamin Franklin Parkëay, bulevardin më të bukur të Filadelfias. Ndërtesa e vjetër origjinale nuk ka mundur t’i plotësojë kërkesat modern për ruajtjen e veprave të artit, ka qenë pak larg nga qendra e qytetit dhe Fondacioni ëshytë ballafaquar edhe me probleme të natyrës financiare. Për këtë zhvendosje ka patur një proces të tejzgjatur gjyqësor, sepse me testamentin e themeluesit e pronarit të saj, dr. Alfred C. Barnes (Philadelphia, 2 janar, 1872 – 24 korrik, 1951) ky kolekcion nuk mund te largohej nga ndërtesa origjinale. Më në fund është arritur një kompromis, që kolekcioni mund të zhvendoset, por radhitja, varja e veprave, objekteve të artit të mbetet e njejtë, pa ndryshuar asgjë, sikur ka qenë gjatë vendosjes së fundit kur dr. Barnes ka qenë gjallë. Dr. Barnes ka vdekur në një aksident trafiku më 24 korrik të vitit 1951. Dhe kështu është vepruar. Sot në këtë kolekcion nuk lejohen kurrëfarë ndërhyrje.

Siç u cek më lart, ky fondacion është themeluar në vitin 1922 nga dr. Albert C. Barnes, i cili ka grumbulluar një pasuri të madhe si bashkëzhvillues i “Argyrolit”, një antiseptik i nitratit te argjendit e që është përdorur për të luftuar inflamacionet e syve, veshëve, hundës e fytit, verbërinë te të porsalindurit. Dr. Barnes ka qenë kimist, farmacist, sipërmarrës (businessman), kolekcionist arti, edukator. Ai ka filluar të mbledhë, kolekcionojë vepra arti që nga viti 1902, por nga viti 1912 ai u bë një kolekcionist serioz. Për një kohë të gjatë ky kolekcion ka shërbyer vetëm për nevoja edukuese artistike dhe u është shpalosur miqve të ngushtë të familjes, ndërsa nga viti 1961 ky kolekcion i pasur është bërë i qasshëm edhe për publikun e gjërë artdashës. Gjer më tani me miliona vizitorë e kanë vizituar këtë galeri unike, 240 mijë vetëm në vitin 2015.

Sot Fondacioni ka në pronësi më shumë se 4000 objekte arti, duke përfshirë 900 piktura, ndërsa tërë kolekcioni e ka vlerën mbi 25 miliardë dollarë. Kryesisht janë vepra të mjeshtërve impresionistë, post-impresionistë dhe modern. Përvec tyre, kolekcioni përfshinë edhe piktura nga artistë amerkanë, evropianë, afrikanë, vepra antike, skulptura e objekte arti, nga Kina, Egjipti, Greqia, si dhe mjaft mobilje zbukuruese. Vlen të ceket se në këtë fondacion mbresëlënës gjenden 181 piktura nga Pierre-Auguste Renoir, 69 nga Paul Cezanne, 59 nga Henri Matisse, 46 nga Pablo Pikaso, 7 nga Vincent Van Gogh, etj. Për nga numri dhe vlera e objekteve këtij kolekcioni do t’ia kishin lakmi edhe shumë galeri kombëtare të disa vendeve të zhvilluara. Këto vepra arti janë të ekspozuara nëpër dhoma të vogla dhe në këtë mënyrë ofrojnë një shijim më intim të artit. Sikur të krijojnë një përshtypje se mjeshtrit dhe veprat e tyre janë duke ndërvepruar, bashkëbiseduar me vizitorin, të shpien në një botë ku e bukura mbretëron. Ajo që është karakteristike e unike për këtë galeri, është mënyra sesi janë radhitur, varur pikturat, objektet e artit. Ato nuk janë ekspozuar në formatin tradicional sipas periudhave historike të artit, stilit, llojit apo gjeografisë së vendeve të tyre vtë origjinës, por janë organizuar në grupe, ansamble që ndjekin disa parime të dritës, ngjyrave, vijave (linjave) dhe hapësirës. Koncepti, filozofia e dr. Barnes sesi duhet shijuar, përjetuar arti ka qene të përqëndruarit në vetë artin dhe jo në kontekstin historik, stilin, kronologjinë, llojin. Prandaj, nuk është e rastësishme që pranë një pikture të Renoirit të qëndrojë një pikturë e Periudhës së Renesancës, një objekt metalik arti, etj. Vetë ndërtesa ku është vendosur ky fondacion ka një arkitekturë mjaft modern dhe është fituese e disa shpërblimeve të rëndësishme. Përveç hapësirave ekspozuese ka edhe salla për konferenca e tubime, restorantin dhe dyqanin ku shiten vepra arti, rioprodhime artistike dhe një fond të pasur botimesh për artin dhe artistët. Shtrirja dhe sipërfaqja e dhomave të ekspozitës ka mbetur e njejtë si kur ka qenë në ndërtesën e vjetër.Të gjitha këto ofrojnë një përjetim të këndshëm. intim e ndryshe të artit.

Philadelphia, më 18 korrik, 2022

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.