Fondacioni Plavë Guci, një nga organizatat më aktive të komunitetit

Intervistë me Esad Gjonbalajn, aktivist i njohur në komunitetin shqiptar të Amerikës

Si e vlerësoni aktivitetin e i Fondacionit Plavë Guci në New York gjatë kohës sa keni qenë kryetar?

Katër vitet sa unë isha në kryesinë e Fondacionit Plavë Guci (FPG), si sekretar dhe pastaj kryetar (2011/2015), fondacioni kishte arritje të mëdha në çdo aspekt të veprimtarisë dhe angazhimeve. Sukses domethënës ishte afrimi i intelektualëve dhe botës së biznesit rreth FPG-së dhe shtimi i jashtëzakonshëm i anëtarësisë si asnjëherë më parë, por kuptohet se as unë nuk isha i përkryer dhe ndoshta kam pasur lëshime gjatë angazhimit tim, por përkushtimi im në shoqatënë tonë ishte shumë i sinqertë dhe në të mirë të shoqatës dhe çështjes kombëtare .

Buxheti i FPG-së u trefishua, ndërkaq ndihmat në vendlindje ishin me dhjetëra mijëra dollarë. Fondacion Plavë Guci ka organizuar protesta të fuqishme kundër qeverisjes së Malit të ZI dhe politikave antishqiptare. Ne bëmë deklarata dhe prononcime publike për vendlindjen dhe ato zunë vend në mediumet më të fuqishme shqiptare. Në nëntor 2014 në “Oakland University” organizuam Konferencë Ndërkombëtare për pozitën jo të mirë të shqiptarëve nën Mal të Zi me pjesëmarrjen e tetë profesorëve dhe doktorëve të shkencave dhe njohësve të lëmive përkatëse . Si rezultat i punës sonë kemi pranuar ftesa zyrtare dhe mirënjohje nga institucionet dhe udhëheqësit më të lartë të shteteve tona shqiptare. Gjatë kohës së angazhimit tim në FPG, shoqata jonë ishte prijëse e shoqatave në SHBA dhe ishte njëra ndër iniciueset e themelimit të Këshillit të Përbashkët të Shoqatave në SHBA. Sa i përket informimit, web faqja e FPG-së ishte zë i fuqishëm i Plavë Gucisë në mbarë botën ku etika dhe profesionalizmi në informacione ngjallnin kërshërinë e çdo bashkëvendësi dhe më gjerë.

Çka është e rëndësishme të ceket, po në këtë periudhë FPG-në e regjistruam te organet përkatëse të shteti amerikan me statusin e privilegjuar në taksim, 501(c)3, status ky i humbur nga kryesitë paraprake.

Kështu, FPG nga një organizatë vetëm si emër, u kthye edhe në institucion të respektuar dhe të regjistruar tek organet kompetente amerikane.

Jo vetëm kaq por FPG-në e bëmë me zyrë të vet falë kontributit të vëllezërve Mehaj që na dhuroi zyrën për 5 vite falas. Kemi zhvilluar edhe shumë e shumë veprimtari të tjera që nuk mund të përmenden në këtë intervistë.

Pse keni dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Fondacionit?

Unë ne fakt kam dhënë dorëheqje pas kuvendit “zgjedhor” të mbajtur më 23 mars 2015 si anëtar i kryesisë së FPG, si rrjedhojë e klimës së krijuar dhe shkeljes së statutit te Fondacionit Plavë Guci nga një grup njerëzish nga treva e jonë, sepse në Kuvend ishin prezentë 31 anëtarë të rregullt të FPG dhe 28 persona që nuk ishin anëtarë pa të drejtë vote të cilët votuan edhe përkundër faktit që status nuk lejon një gjë të tillë . Ditën e Kuvendit në mënyrë te organizuar dhe orkestruar erdhën njerëz që kurrë nuk kanë qenë anëtarë të FPG-së dhe që kurrë nuk kanë kontribuar për të dhe me sjellje agresive thuajse kidnapuan shoqatën dhe kështu dëmtuan rënd proceset dhe rrugëtimin e saj.

Si rrjedhojë e kësaj klime të krijuar unë vendosa të vetëdorëhiqem nga kryesia, te cilën e konsideroj si një kryesi puçiste dhe që me naivitetin e saj dhe “ëndrrën” që disa individë të bëhen patriotë në pleqëri dëmtuan rrugëtimin dhe misionin e shoqatës tonë.

Si e vlerësoni aktivitetin e bashkatdhetarëve nga Plavë e Guci që jetojnë në SHBA për të ndihmuar vendlindjen dhe trojet tjera shqiptare?

Diaspora e jonë nga Plavë Gucia në tërësi dhe këtë me mburrje e them, është krahu më i fortë dhe më i fuqishëm i diasporës shqiptare në SHBA. Bashkëvendësit tanë ndër dekada kanë qenë dhe janë motor dhe katalizator i fuqishëm i çdo aktiviteti të diasporës në SHBA. Ne si plavë-gucias mund të kemi mospajtime të brendshme në mes veti, por në rrafshin kombëtar plavë-guciasit gjatë historisë vendin e kanë në ballë të oxhakut sa i përket atdhetarisë.

A keni ndonjë shifër për numrin e tyre në Amerikë dhe me çka merren kryesisht?

Fatkeqësisht shifra të sakta nuk kemi, por duke qenë i kyçur për kohë të gjatë në këtë komunitet me hamendje mund të them se nga Plavë Gucia në SHBA mund të jenë rreth 9 mijë bashkatdhetarë.

Ata merren kryesisht me patundshmëri, hoteleri dhe ndërtimtari. Është shumë e rëndësishme të thuhet se në këto veprimtari kemi shumë bashkëvendës të suksesshëm që me arritjet e tyre i bëjnë nder kombit e jo vetëm Plavë Gucisë.

Si diasporë e re sot në SHBA kemi intelektualë nga treva e jonë qe kanë arritur sukese edhe në lëmi dhe profile të tjera si: doktorë, avokatë etj.

Si e vlerësoni gjendjen politike e ekonomike të shqiptarëve në Plavë e Guci?

Shqiptarët në Plavë-Guci vlerësoj se janë të diskriminuar në çdo fushë të jetës nga institucionet shtetërore të Malit te Zi, qoftë në nivelin qendror apo atë lokal. Nuk është fjala për liri të të shprehurit, por diskriminimi fillon në çdo pore të shoqërisë. Po fillojmë nga punësimi, tekstet mësimore me planprograme që nuk kanë asgjë të bëjnë me shqiptarët dhe historinë e tyre, pastaj mos krijimi i një klime të përshtatshme për investime nga diaspora dhe sikur nuk mjaftojnë këto forma institucionale të diskriminimit, aty sillet edhe një deponi mbeturinash në njërin nga vendbanimet më kryesore të shqiptarëve në fshatin Martianj.

Gjendja e këtillë e zymtë po inkurajon thellimin e plagës së vjetër të trevës sonë: mërgimin dhe boshatisjen e këtyre trevave.(Illyria)

Me cfarë aktiviteti humanitar po merreni tani?

Tani jam në përmbyllje të një aksioni humanitar për ndërtimin e Shtëpisë se Kulturës në fshatin tim të lindjes ne Vuthaj. Është ky projekti më i madh qe ka bërë diaspora e Plavë Gucisë ndonjëherë për vendlindjen, ku kostoja e investimit është mëse $130000.00

Këtë projekt e nisëm së bashku me bashkëvendësit, Vesel Qosaj, Hysen Ulaj, Çel Shabani Çelaj, Henry Gjonbalaj , Qazim Dedushaj , Nazmi Brahi Ahmetaj, Esat Mehmet Vuçeta, Granit Salih Gjonbalaj, Sadik Bruçaj, Fadil Goçaj. Mjetet janë tubuar falë besimit të bashkëvendësve dhe bashkatdhetarëve të komunitetit në këtë projekt dhe në Këshillin e cekur më lart, por edhe falë angazhimit të fuqishëm të anëtarëve të Këshillit iniciues.

Ndërkaq vitin e kaluar kam përkrahur gjendjen e rëndë ekonomike të dy veteranëve të UCK-së në Kosovë, ku kam tubuar $18700.00.

Po ashtu jam pjesë e Këshillit të Komunitetit që në bashkëpunim me asambleistin tonë, Mark Gjonaj po bëjmë përgatitjet finale për Qendrën e përbashkët të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe po ashtu jam anëtar i bordit të Fondit Amerikano Kosovar të Edukimit (Kosovo American Education Fund – KAEF).

Aktiviteti i im do të ishte i pamundur nëse nuk do ishte përkrahja dhe mbështetja e bashkëshortes Hana dhe fëmijëve të mi sepse familja është preambula e jetës time, për çka edhe mburrem me arritjet e tyre.

I tërë ky aktivitet i imi do kishte qenë i pa mundur nëse nuk është besimi i ndërsjelltë në mes të atyre që dhurojnë dhe përkrahin dhe mua që inicioj nisma të llojeve të ndryshme.

Dua të theksoj këtu se aktiviteti dhe angazhimi im është bërë në kushte specifike dhe të vështira si rrjedhojë e një aksidenti të rëndë që pata në vitin 1986, aksident që më dëmtoi rëndë organet pamëse, pasojat e të cilit i vuaj edhe sot.

Esad Gjonbalaj (50) emigroi në SHBA në vitin 1986 kur ishte 19 vjeç. Që nga ditët e para ka qenë pjesë e pothuajse çdo aktiviteti kombëtar, qofshin demonstrata apo aksione humanitare.

Në vitin 1988-1991 ka bërë përmbledhjen e informacione për Shërbimin Telefonik te lajmeve, shërbim ky që i kundërvihej dezinformatave të TANJUG (agjnsion e Lajmeve i Jugosllavisë)

Ka punuar në Radion e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Amerikë nga viti 1992 gjer ne vitin 1997

Eshtë njëri ndër themeluesit e Fondacionit Plavë Guci

Esad dhe Hana Gjonbalaj janë prindër të 3 fëmijëve: Egzones që këtë vit mbaron magjistraturën në matematikë, Gëzimit që këtë pranverë diplomon në fakultetet dhe Fiones që është nxënëse shembullore e që këtë vit shkollor, gjegjësisht në shtator hyn në vit të parë të shkollës së mesme.