Forca e artistëve përballë çmendisë së Putinit

Emin AZEMI

Ka plot artistë anembanë globit tokësor, por janë të rrallë artistët si Elena Kovalskaya dhe Volodymyr Zelensky që e flijojnë karrierën e tyre artistike për të mirën e njerëzimit. Karriera artistike nuk e ka asnjë kuptim, në rast të indiferencës së artistit ndaj akteve çnjerëzore, si këto të Vladimir Putinit në Ukrainë.

 

Në Moskë dhe Kiev janë dy artistë të cilët e kanë një armik të përbashkët: Vladimir Putinin.

Në Moskë, drejtoresha e teatrit shtetëror “Meyerhold Center”, Elena Kovalskaya ,nuk pranoi të mbajë më këtë post dhe në shenjë proteste të pushtimit të UKrainës nga Rusia, e ka quajtur publikisht presidentin rus,  Vladimir Putin “vrasës”.

“Miq, në shenjë proteste kundër pushtimit rus të Ukrainës, po jap dorëheqjen. Nuk mund të punosh për një vrasës dhe të paguhesh prej tij. Unë do t’i çoj projektet e mia deri në fund, mbi baza vullnetare”, ka shkruar Elena Kovalskaya në llogarinë e vet në “Facebook”.

Paska artist që i refuzojnë paratë kur ato kalojnë nëpër duartë e padronëve kriminelë. Paska artistë që refuzojnë të “punojë për një vrasës”, ndonëse jeta e tyre mund të vihet në rrezik dhe emrat e tyre tani të përmenden në përvjetore të përmortshme siç kishte ndodhur edhe me gazetaren  Anna Politkovskaya, e cila u gjet e vdekur në ashensorin e ndërtesës së saj më 7 tetor 2006, pasi që kishte qenë zë kritik ndaj Vladimir Putinit dhe ndërhyrjes ushtarake në Çeçeni. Sipas rikonstruimit të ngjarjes nga ana e policisë, gazetarja po kthehej në shtëpinë e saj pasi shkoi në supermarketin e lagjes. Pasi u ngjit në katin e shtatë për të vendosur një pjesë të blerjeve, ajo zbriti poshtë për të marrë disa të tjera. Një vrasës e priste atë në katin përdhesë, pikërisht para ashensorit. Sapo u hapën dyert, burri do të kishte qëlluar katër herë me armë kundër saj, plus një tjetër “sigurie” në pjesën e pasme të kokës.

Në Kiev, Presidenti i Ukrainës, ish aktori i komedisë, Volodymyr Zelensky, po qëndron i palëkundur në mbrojtje të atdheut të tij nga pushtimi rus. Në prill të vitit 2019, komediani i kthyer në politikan u zgjodh president i Ukrainës.

“Tani është një moment i rëndësishëm. Fati i vendit tonë po vendoset”, tha Zelensky të premten dhe vazhdoi të shtunën përmes një një video-adresimi, duke thënë se forcat e vendit të tij kanë ndaluar planin e Rusisë për ta kapur atë brenda natës dhe për të vendosur regjimin e tyre në Rusi. Ai gjithashtu u bëri thirrje rusëve që t’i bëjnë presion Presidentit Vladimir Putin për të ndaluar pushtimin.

“Ne e kemi shkatërruar planin e tyre”, tha Zelensky.

‘Forcat ukrainase kishin nën kontroll Kievin dhe qytetet kryesore përreth tij’, tha ai. Zelenski tha se ushtria ukrainase ka rezistuar dhe se kanë zmbrapsur me sukses sulmet e armikut.

Presidenti Zelensky po bëhet burim frymëzimi për mijëra ukrainas që të qëndrojnë të fuqishëm në mbrojtje të atdheut të tyre të pushtuar nga rusët. Zelensky që vjen nga fusha e artit skenik, po i dhuron gjithë botës moralin e lartë të një politikani që ka mundur në çdo moment të largohet nga Ukraina pas thirrjeve që iu bënë, sidomos nga SHBA, për t’u evakuar.

“Unë kam nevojë për municion, jo për udhëtim”, tha Zelensky, duke shprehur tërthorazi edhe pakënaqësinë e tij lidhur me qëndrimet “jo të forta” të komunitetit ndërkomnbëtar ndaj çmendurive të Putinit. Ky i fundit përpos që ka dërguar trupa e tankse në Ukrainë, po e mohon dhe të drejtën e ukraiunasve për të pasur në krye të shtetit ata politikanë që i kanë zegjedhur në mënyrë demokratike. Putini dëshiron që në Kiev të ketë një kukull e cila do të përkdhelte ambicjet militariste të Moskës.

Por, ish aktori Zelensky, jo vetëm që nuk po bëhet kukull, por me veprimet e tij heroike, po dëshmon vetën se është një tigër që nuk ia ka frikën një paranojaku të krisuri në Kremlin.

‘Luftimet vazhdojnë në qytete dhe rajone të ndryshme të vendit tonë. Çdo ukrainas duhet të ketë parasysh një gjë: nëse mund të ndaloni dhe shkatërroni pushtuesit – bëjeni. Të gjithë ata që mund të kthehen në Ukrainë – kthehuni për të mbrojtur Ukrainën”, iu drejtua popullit të tij Zelensky dhe u bëri thirrje edhe vullnetarëve nga jashtë. “Të gjithë miqtë që duan të bashkohen me ne, ju lutemi ejani, ne do t’ju japim armë.”

Putini dërgoi në Kiev vrasës dhe rrënues. Ai nuk dëshiron që ta shohë Kievin një qytet që i bën karshillëk Moskës për nga bukuria dhe arkitektura e rrallë. Putini mundet të heqë ndonjë tullë nga urbanistika e Kievit, por nuk mundet ta çrrënjosë frymën kulturore e artistike që kishte ky qyteti cili dikur kishte qenë fole e shkrimtarëve e artistëve të shquar, të cilët ishin bërë të famshëm në saje të kryeveprave të tyre, siç janë Bulgakovi, Gogoli, Ahmatova, Shevçenko, Hasheku. Ky i fundit madje në Kiev e kishte shkruar kryeveprën e tij, romani “Ushtari i mirë Shvejkt”.

Pasioni për historinë e Ukrainës e kishte frymëzuar Gogolin për të krijuar historinë “Taras Bulba”, dhe për të përshkruar bukuritë e këtij vendi në veprat “Natën e Majit”, “Sorochinskaya Yarmarka”,  kurse romani “Mjeshtri dhe Margarita” u ngjiz dikund skutave gjysëm të errëta të Kievit, bashkë me idetë antistaliniste të Mihail Bullgakovit.