Forcat ruse bombardojnë qytetet në Ukrainë, pavarësisht shpalljes së armëpushimit

Kiev / Moskë, 7 mars 2022 – Forcat ruse vazhduan të hënën bombardimet që qytetet veriore dhe jugore të Ukrainës. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës njoftoi se forcat ruse janë përqendruar në rrethimin e Kievit, Kharkivit, Chernihivit, Sumyt dhe Mykolayivit.

 Të hënën, Kievi e akuzoi Rusinë edhe për bombardim të qëllimshëm të civilëve dhe për krijimin e një krize humanitare në zonat e pushtuara.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në një video-fjalim, i akuzoi forcat ruse për “vrasje të qëllimshme” dhe parajamëroi se do të ndëshkohet kushdo që “kryen mizori”.

“Nuk do të ketë vend të qetë për ju në këtë tokë, përveç varrit”, tha ai.

Të dielën, Shtetet e Bashkuara thanë se kanë parë “raporte shumë të besueshme” për sulme të qëllimshme të forcave ruse ndaj civilëve, akte këto që përbëjnë krim lufte.

“Ne kemi parë raporte shumë të besueshme për përdorimin e armëve të caktuara”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, për rrejtin CNN.

Të hënën, ministria e Mbrojtjes e Rusisë, në një deklaratë për publikun, tha se forcat ruse do të shpallin një armëpushim për të hapur korridore për evakuimin e civilëve nga Kievi, Kharkivi, Sumy dhe Mariupoli. Sipas deklaratës, ata që largohen nga Kievi do të transportohen me avionë për në Rusi.

Në deklaratë thuhet se kjo masë është marrë pas kërkesës së drejtpërdrejtë të presidentit francez, Emmanuel Macron, drejtuar presidentit rus, Vladimir Putin.

Marrëveshjet e mëparshme për të krijuar korridore të tilla humanitare dështuan shpejt, duke përfshirë edhe ato për Mariupolin. Një përpjekje për evakuim nga qyteti dështoi të dielën për të dytën here pë shkak të bombardimeve të  forcave ruse.

“Mes skenave shkatërruese të vuajtjeve njerëzore në Mariupol, një përpjekje e dytë sot për të nisur evakuimin e rreth 200,000 njerëzve jashtë qytetit u ndal”, tha Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në një deklaratë. “Përpjekjet e dështuara dje dhe sot, nënvizojnë mungesën e një marrëveshjeje të hollësishme dhe funksionale ndërmjet palëve në konflikt”. Rusia po përpiqet të manipulojë presidentin francez, Emmanuel Macron dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë, duke kërkuar që çdo korridor humanitar në Ukrainë, të dalë përmes Rusisë ose Bjellorusisë, tha të hënën një zyrtar i lartë ukrainas.

Zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk tha se Ukraina i bën thirrje Rusisë që të bie dakord për një armëpushim që nga mëngjesi i së hënës, për të lejuar ukrainasit të evakuoheshin drejt qytetit perëndimor të Ukrainës, Lviv.

Një raund i tretë i negociatave midis Kievit dhe Moskës është planifikuar të zhvillohet të hënën. Delegacionet ukrainase dhe ruse janë takuar dy herë në Bjellorusi, që kur Rusia filloi agresionin në Ukrainë më 24 shkurt.

Por, Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi të dielën se operacionet ushtarake të Rusisë në Ukrainë po vazhdojnë sipas planit dhe se nuk do të përfundojnë “derisa ukrainasit të ndërpresin luftimet”.

(Zëri i Amerikës, BBC, Euronews)