Forcat ruse e marrin nën kontroll centralin bërthamor në Zaporizhia

Kiev / Vjenë, 4 mars 2022 – Zyrtarët ukrainas thonë se forcat ruse morën nën kontroll centralin bërthamor më të madh në Evropë, Zaporizhia, pranë qytetit ukrainas Enerhodar, pasi e bombarduan atë dhe një ndërtesë e e kompleksit u përfshi nga flakët.

Inspektorati bërthamor i Ukrainës tha se nuk ka pasur rritje të shkallës së rrezatimit në central dhe shtoi se personeli po vazhdon të operojë në mënyrë të sigurt objektin. Zyrtarët ukrainas thanë se zjarrfikësit arritën të vënë zjarrin nën kontroll.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), Rafael Mariano Grossi, konfirmoi se asnjë material radioaktiv nuk është liruar nga zjarri në centralin më të madh bërthamor në Evropë.

Enerhodari që shtrihet në buzë të lumit Dnjepër, afro 700 kilometra në juglindje të Kievit, është një qytet i rëndësishëm për prodhimin e energjisë. Centrali prodhon rreth 25 për qind të energjisë së Ukrainës.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan, Joe Biden, foli me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për t’u informuar mbi zjarrin në centralin bërthamor.

Presidenti Zelenskyy akuzoi të premten Rusinë për bombardimin e centralit, duke thënë se “ky është terror në një nivel të pashembullt”.

Ai gjithashtu u bëri thirrje civilëve rusë që të shprehin zemërimin për sulmin e uzinës. “Rrezatimi nuk e di se ku është Rusia, ku janë kufijtë e vendit tuaj”, tha presidenti Zelenskyy.

Sulmi shkaktoi shqetësim në mbarë botën dhe ngjalli kujtimet e fatkeqësisë më të rëndë bërthamore në botë, atë të Çernobilit të Ukrainës në vitin 1986.

(Zëri i Amerikës)