Forcat ruse forcojnë kontrollin në centralin bërthamor të Zhaporizhias

Kiev, 6 mars 2022 – Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike thotë se forcat ruse po forcojnë kontrollin e tyre ndaj impiantit bërthamor të Zaporizhias, më i madhi i Ukrainës dhe në Evropë, të cilën ata e morën nën kontroll pak ditë më parë.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike Rafael Mariano Grossi, tha të dielën se forcat ushtarake ruse po u kërkojnë punonjësve të personelit ukrainas në central, të marrin miratim për çdo operacion, madje edhe për ato që lidhen me mirëmbajtjen e impiantit. Ai tha se forcat ushtarake ruse kanë penguar komunikimet normale, duke fikur rrjetet celulare dhe internetin.

Autoriteti rregullator i Ukrainës tha se linjat telefonike, emailet apo faksi nuk funksionojnë më.

Zoti Grossi tha se është jashtëzakonisht i shqetësuar me këto zhvillime, duke shtuar se që impianti të funksionojë në mënyrë të sigurt, personeli duhet të lejohet të kryejë detyrat e tij jetike, në kushte të qëndrueshme, pa ndërhyrje ose trysni të jashtme të panevojshme.

Ndërkohë ushtria ruse ka paralajmëruar vendet fqinje me Ukrainën që mos përdorin territorin e tyre për avionët luftarakë të Kievit, duke thënë se Moska mund t’i konsiderojë këto vende si pjesë të konfliktit, nëse avionët ukrainas kryejnë misione luftarake duke u nisur nga territori i tyre.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes Igor Konashenkov tha të dielën se disa avionë luftarakë ukrainas ishin ridislokuar në Rumani dhe në vende të tjera fqinje me Ukrainën, por ai nuk i identifikoi ato.

Zoti Konashenkov paralajmëroi se nëse këta avionë luftarakë sulmojnë forcat ruse nga territori këtyre vendeve, ky mund të konsiderohet si angazhim i tyre në konflikt ushtarak.

Po sot (e dielë) zyra e presidentit francez njoftoi rreth një bisede telefonike mes Ppresidentit rus Vladimir Putin dhe atij francez Emmanuel Macron. Biseda u përqëndrua kryesisht në sigurinë e centraleve bërthamore të Ukrainës.

Telefona ishte kryer me kërkesë të zotit Macron dhe zgjati pothuajse dy orë njoftuan autoritetet franceze.

Një zyrtar francez tha se zoti Macron këmbënguli në nevojën për të garantuar respektimin e standardeve të sigurisë së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në centralin e Çernobilit, si dhe në centrale të tjera bërthamore. Ai i tha zotit Putin se këto objekte nuk duhet të jenë në shënjestër të ofensivës ruse apo të jenë mes zjarrit të përplasjeve ushtarake.

Zoti Putin tha se nuk ka ndërmend të sulmojë centralet bërthamore dhe ra dakord mbi parimin e një dialogu mes Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Ukrainës dhe Rusisë për këtë çështje, tha një zyrtar francez, i cili foli në kushte anonimiteti. Ai shtoi se mes dy udhëheqësve do të zhvillohen bisedime të tjera në ditët në vijim.

Zoti Macron përsëriti thirrjen drejtuar Rusisë që të ndalë operacionin e saj ushtarak dhe këmbënguli në nevojën për të mbrojtur civilët dhe për të lejuar kalimin e ndihmave humanitare.

“Situata (humanitare) është e vështirë përfshirë në Mariupol”, theksoi zyrtari. “Kërkesat tona mbeten të njëjta: ne duam që Rusia t’u përgjigjet këtyre kërkesave… shumë shpejt dhe qartë”, tha ai.

Të dielën udhëheqësi i Bashkimit Evropian Charles Michel tha se mbyllja e hapësirës ajrore të Ukrainës mund të bëhej shkak për ndezjen e një lufte botërore.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u ka bërë vazhdimisht thirrje vendeve të NATO-s që të ndalin sulmin e Rusisë ndaj vendin e tij duke vendosur një zonë ndalim-fluturimi. Por udhëheqësit perëndimorë e kanë refuzuar atë nga frika e një lufte më të gjerë në Evropë. Vendosja e avionëve luftarakë mbi Ukrainë, në rrethanat aktuale, mund të konsiderohej si hyrje e NATO-s në luftë dhe për këtë arsye rrezikon Luftën e Tretë Botërore, tha zoti Michel në një intervistë për transmetuesin publik ‘France Inter’.

Zoti Michel hodhi poshtë pretendimet se sanksionet ekonomike kundër Rusisë janë një shpallje lufte nga ana e BE-së ose NATO-s ndaj Rusisë. Presidenti rus Vladimir Putin e ka lidhur ndëshkimin ekonomik të Perëndimit me një shpallje lufte ndaj Moskës.

Zoti Michel tha se aleatët evropianë dhe amerikanë kanë vendosur sanksione për të ushtruar trysni e për të dëmtuar regjimin rus dhe jo njerëzit, sikurse tha ai.

(Zëri i Amerikës)