Forcat Speciale amerikane i stërvisin Forcat Speciale Shqiptare

Tiranë, 27 korrik 2021 – Forcat ushtarake shqiptare janë stërvitur së bashku me ato amerikane. Stërvitjen e kanë ndjekur zyrtarë të lartë të ambasadës amerikane dhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi.

Në njoftimin e Ambasadës amerikane në Tiranë thuhet se forcat amerikane kanë stërvitur ushtarakët e Forcave Speciale Shqiptare në fusha të shumta specializimi, duke përfshirë aftësitë në qitje, mjekësi dhe komunikimi.

Sipas njoftimit, Forcat Speciale të SHBA-së i kanë vlerësuar skuadrat e Forcave Speciale të Ushtrisë së Shqipërisë, përmes stërvitjeve të ndryshme.

Njoftimi i ambasadës amerikane:

Zyrtari i Lartë dhe Atashehu i Mbrojtjes në Ambasadën Amerikane në Tiranë David Millner, Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit në Mbrojtje Erol Munir dhe Zëvendës Shefi London Nagai, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral Major Bajram Begaj, morën sot pjesë në një stërvitje dhe testim të aftëve ushtarake, ku Forcat Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i vlerësuan skuadrat e Forcave Speciale Shqiptare, përmes stërvitjeve të ndryshme.

Ky ishte aktiviteti përmbyllës pasi ushtarët nga Komanda e Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë (SOCEUR) kanë stërvitur Forcat Speciale Shqiptare përgjatë gjithë muajit korrik. Forcat amerikane kanë stërvitur ushtarakët e Forcave Speciale Shqiptare në fusha të shumta specializimi, duke përfshirë aftësitë në qitje, mjekësi dhe komunikimi. Ky ishte trajnimi i parë nga Forcat Speciale Amerikane që u zhvillua në Shqipëri që nga viti 2017 dhe tregoi se megjithëse Defender Europe 21 ka mbaruar, ne vazhdojmë të stërvitemi së bashku, të punojmë së bashku dhe të qëndrojmë, #KrahPerKrah, gjithmonë.

(r.m.)