Foshnja që iu dorëzua ushtarëve amerikanë në Kabul është ribashkuar me familjen

Kabul, 21 gusht 2021 – Një video e shpërndarë në rrjetet sociale nga Aeroporti i Kabulit, të enjten që shkoi, shpjegon gjendjen shpirtërore të afganëve, pas marrjes së kontrollit nga talibanët. Një foshnjë bartej dorë më dorë për t’iu dorëzuar ushtarëve amerikanë në anën tjetër të murit barrikadues të siguruar me tela gjemborë. Babai  ua dorëzoi foshnjën ushtarëve amerikanë, në përpjekje që të sigurojnë të ardhme të sigurtë për fëmijën e tij jashtë Afganistanit që u mor nën kontroll nga talibanët.

NY Times raporton se foshnja që shihet në video është ribashkuar me babanë e saj dhe tani gjendet në Aeroportin e Kabulit.

“Mund të konfirmoj se foshnja u ribashkua me babanë e saj dhe është e sigurtë në aeroport”, ka thënë zëdhënësi i Marinsave amerikanë, Majori James Stenger.

“Ky është një shembull i vërtetë i profesionalizmit të marinsave në vend, të cilët po marrin vendime të shpejta në një situatë dinamike, në mbështetje të operacioneve të evakuimit”, ka thënë ai.

Majori Stenger ka thënë se foshnja është dërguar fillimisht për kontroll shëndetësor  në shërbimin mjekësor të ushtrisë amerikane në Kabul.

(r.m.)