Francis Ford Coppola nuk foli shqip

Ruben Avxhiu

Një lajm që po qarkullon për shkak të një interviste që regjizori i shquar i triptikut “Godfather” ka bërë me humoristin amerikan Jay Leno.
Kur Leno arrin në shtëpinë e Coppola-s, ai është duke e pritur në verandë dhe i thotë “Non ci si’m” (Non ci siamo), si e thoshte gjyshi i tij.
Disa shqiptarëve u është dukur se ka shqiptuar keq fjalën “mirëmëngjezi” ashtu si e ka mbajtur mend nga gjyshi dhe kanë arritur në përfundimin se italiano-amerikani i madh është me origjinë arbëreshe.
E dëgjova disa herë nga kurreshtja dhe duke qenë se jam nga ata që i gjurmoj me dëshirë rrënjët shqiptare te personalitetet amerikane mund të them pa dyshim e pa paragjykim se ai nuk thotë “mirëmëngjezi”.
Përkundrazi, “non ci siamo” më duket një batutë e bukur e zgjedhur jo më kot për humoristin Leno.
Një shaka e vjetër, që përdoret kudo, por mesa duket edhe në Itali: Dikush troket në derë dhe ti i përgjigjesh: “Nuk jemi në shtëpi”. “Po vij një ditë tjetër kur të jeni”, thotë miku.
Jo vetëm që nuk është në shqip, por kur humoristi Leno (nuk është gazetar si e përshkruajnë disa portale shqiptare drejtuesin e famshëm të programeve televizive të mbrëmjes në SHBA) e pyeti se çfarë do të thoshte shprehja, Francis Coppola ia përkthen: “Nuk jemi në shtëpi”.
Familja e regjizorit vjen nga zona në Itali që kanë qenë historikisht të mbushura me arbëreshë. Kështu që nuk është çudi që të jetë një nga ata figura që kanë gjak shqiptari. Por kjo intervistë e marrë në shkurt të vitit 2021 nuk është provë. Madje rrezikon të ngjajë me përpjekje të dëshpëruar për të zbuluar një lidhje.
Coppola erdhi në Shqipëri bashkë me gruan, në mos gaboj, gjatë një festivali ndërkombëtar të filmit, në Durrës, në vitin 2011. (Fotografia është nga ajo vizitë, në krah të aktorit Timo Flloko.) Aty ka qenë rasti që ai të përmendte prejardhjen e tij shqiptare dhe nuk e ka bërë. Jam i sigurtë që e kanë pyetur. Nuk ka pse të kapemi pas një shprehjeje që ndonëse e thënë disi me dialekt përsëri dallohet mirë se çfarë thotë.