Freedom House: Kosova bën përparim në shkallën e demokracisë, ngec në luftimin e korrupsionit

Uashington, 20 prill 2022 – Të mërkurën është publikuar raporti i organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, ndërsa Kosova radhitet sërish në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale.

Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, sipas raportit të sivjetmë Kosova shënoi një përparim nga 3,14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25, mirëpo ngecjet raportohen janë te luftimi i korrupsionit dhe pavarësia e gjyqësorit.

Në raport thuhet se Kosova ka mbajtur zgjedhje kredibile dhe relativisht të administruara mirë, por institucionet mbeten të dobëta dhe korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar mosbesim të thellë.

Po ashtu thuhet se gazetarët përballen me presione serioze dhe rrezikojnë të sulmohen në lidhje me raportimin e tyre.

“Sundimi i ligjit pengohet nga ndërhyrja e ekzekutivit”, thuhet në raportin e Freedom House të publikuar sot për vitin 2021.

Në raport përmend zgjedhjet parlamentare 2021, zgjedhja e presidentes së vendit, zgjedhjet komunale, dialogu Kosovë-Serbi, etj.

Freedom House thekson “megjithëse një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE filloi në qershor kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, nuk u bë asnjë përparim thelbësor në normalizimin e marrëdhënieve”.

Më tej thuhet se anëtarët e opozitës kritikuan pjesëmarrjen e Kurtit në bisedime, duke pretenduar se ai nuk e kishte përfshirë në mënyrë adekuate Kuvendin e Kosovës në proces.

“Zgjedhjet komunale të mbajtura në tetor u konsideruan përgjithësisht të lira dhe të ndershme nga vëzhguesit e zgjedhjeve vendore dhe ndërkombëtare, pavarësisht disa gabimeve, duke përfshirë parregullsitë në listën e votuesve. Shumica e pozitave të zgjedhura u fituan nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të dyja partitë tradicionalisht dominuese që kaluan në opozitë pas zgjedhjeve të parakohshme të shkurtit”, thuhet në raport.

Në raport po ashtu thuhet se Lista Serbe është akuzuar për provokim të partive rivale dhe krijimin e një ambienti ku votuesit kanë frikë nga përkrahja e alternativave të tjera.

“Serbia vazhdon të ushtrojë ndikim në platformën e Listës Serbe, si dhe në zgjedhjet politike të serbëve etnikë në përgjithësi”. 

Korrupsioni dhe klientelizmi shpesh bëjnë presion mbi votuesit duke ndikuar në vendimet e tyre gjatë zgjedhjeve, ndërkaq biznesmenët e fuqishëm në Kosovë mund të ndikojnë në zgjedhjet politike të punonjësve të tyre.

“Figura të mëdha politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, të cilët luajnë rol të fuqishëm në politikë dhe kanë ndikuar në instalimin e liderëve kyç”, thuhet në raportin e Freedom House.

“Sistemi politik i Kosovës historikisht është karakterizuar me mosfunksionim dhe jostabilitet të tij. Qeveria Kurti, e zgjedhur në shkurt 2021, herë pas here u përpoq të zbatonte në mënyrë efektive platformën e saj të orientuar drejt reformave gjatë gjithë vitit”, thuhet në raport.

“Kapja e shtetit është një çështje e spikatur dhe shpesh është rezultat i klientelizmit – dhënies së paligjshme të favoreve zyrtarëve nga individë ose grupe të pasura, nëse zyrtarët ndjekin interesat e atyre që i shpërblejnë.

Korrupsioni dhe kapja e shtetit janë të përhapura dhe kuadri institucional për t’i luftuar ato është i dobët.

Mandatet e organeve kryesore të Kosovës kundër korrupsionit mbivendosen dhe ato kanë vështirësi në koordinimin e përpjekjeve të tyre. Autoritetet kanë treguar pak përkushtim për ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe kur zyrtarët e lartë ndiqen penalisht, dënimet janë të rralla”.

Megjithatë, thuhet se gjatë gjithë vitit 2021, qeveria Kurti ndoqi disa reforma që synonin të luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar; administrata u angazhua për krijimin e mekanizmave të rinj të verifikimit gjyqësor dhe propozoi hartimin e legjislacionit që do t’i mundësonte qeverisë të konfiskonte “pasuritë e fituara në mënyrë të pajustifikueshme”.

(Telegrafi)