Frika u “vra”. Amerika dha leksione shprese

Nga Shefqet Meko

Shefqet Meko

            Acari i Janarit nuk mundi të “ngrinte” fuqinë vepruese të ndërrimit të pushteteve në Uashington DC. Amerika qesh sërish e duke  demonstruar me shembullin e vet,  i dha botës “leksionin e radhës”. Urime! Urime!

             Sa shumë telefonata në këtë ditë! Ka një  entuziasëm të sinqertë të gjithë atyre që ende besojnë te Amerika dhe liria e saj. Muara  Schëartz nga kryeqyteti “i blinduar” amerikan, u shkruan miqve: “Qielli është i kaltër përsëri dhe le t’i këndojmë lirisë. Bota rimerr frymë pa frikë…”

            Nga Londra do ishte i pari Dr. Fatmir Terziu që do të telefononte duke thënë thjesht dhe qeshur: “Urime mik! Pushteti amerikan u ndërrua paqësisht. Urime!”  Ndihesh se je me fat këtu  e të ngazëllen fakti që  në këtë 20 Janar historik , betimi i pushtetarëve të rinj në Shtëpinë e Bardhë kaloi paqësisht, me duartrokitje, me flamuj, këngë dhe gjithë procesi  bekuar emocionalisht nga Himni i  Amerikës, që është si një “turbinë”   e lirisë   së Kontinentit. Amerika foli sërish me shëmbullin e vet.

Nga ndërtesa – tempull e ekzistencës amerikane, nga ajo ndërtesë  e solemnitetit të ligjit dhe lirisë, nga ai symbol i madhështisë,  ku dy javë më parë pamë me tmerr dhunë e tym tronditës, pikërisht aty u ringjall shpresa se “Amerika nuk bie”. Presidenti Joe Biden bëri betimin që duhej, duke  thënë nga shpirti  bardhë: “Unë do jem president i gjithë Amerikës, president i çdo amerikani…”

            Amerika dëgjoi, bota dëgjoi, yjet vështruan. Amerika jeton krizën  e saj më të thellë: 400 mijë të vdekur nga virusi, miliona  fronte pune të humbura, aq shumë plagë shoqërore sikur pikojnë dhimbje në trupin gjigand të  vendit të lirisë. Amerika rimer frymë e menduar dhe entuziaste përsëri. 400 mijë flamuj valviten lehtë përballë Kapitolit, si  simbol dhe kujtim për ata që ikën dhe nuk mundën ta përjetonin këtë ditë ndërrim pushtetesh. “Që të shërohemi  , duhet të kujtojmë” tha presidenti i 46-të amerikan, Joe Baiden.  Kurrë  në këtë shesh ku ndërrohen pushtetet presidenciale, nuk ka pasur kaq shumë flamuj dhe kaq pak njerëz, kaq shumë  ushtarë e autoblinda  e kaq pak ovacione masive dhe oshëtuese. Amerika duhet të shërohet nga “plaga” e hidhur e 6 Janarit 2021. Dhe shërimi fillon duke nderuar jetën dhe duke “përkëdhelur”  njerëzit me fjalë të mençura që  të gjallërojnë.

            20  Janari i  ceremonial, iu përcoll botës si një “festë në rrethim”, por me protokoll zyrtar dhe hierarki të përpiktë ligjore. Aty, në “prehër” të Kapitolit Amerikan, me dorën mbi Bibël e nën autoritetin e ligjit, u betua Presidenti i  Ri Amerikan.  Betim për të mbrojtur kushtetutën dhe autoritetin e Zyrës Ovale. “Betohem! Zot më ndihmo”! I rrethuar nga  ekipi dhe Zonja e Parë,  i rrethuar nga  ish-presidentët që  në harkun kohor që iu jep Kushtetuta kanë bërë të njëjtën gjë: betimin për  Amerikën! Sa mirë do të  qe sikur të ishte ai që “zgjodhi të mos vinte”! Sa mirë do ishte për Amerikën dhe  Botën!

            Një kapitull i vështirë sapo hapet. Nuk do jetë e lehtë, por  amerikanët do fitojnë sepse me ta është Zoti dhe  liria  që çliron pafundësisht energji.

 Urime Amerika! Urime! Bota  e pa sot  me sytë e vet! Urime!

Minneapolis, SHBA

20 Janar 2021