FSHF gati lobimi për futbollin e Kosovës

Intervistë e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA

 

Bisedoi Denion Ndrenika

 

-Zoti Shulku, si i vlerësoni marrëdhëniet mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës? Tani ju jeni në këtë pozitë të re prej pak kohësh.

“Shumë të mira! Por, padyshim që do të ketë përkushtim edhe më të madh dhe me konsideratë të lartë. Federata Shqiptare e Futbollit do të jetë në funksion të FFK-së dhe padyshim me energji të reja”.

 

-Deri sa të pranohet  Kosova në FIFA dhe në UEFA, çfarë mendon se duhet t’i japë shtysë bashkëpunimin me ndërkombëtarët Federata Shqiptare të Futbollit?

“Padiskutim që po, që do t’i japë shtysë! Është një projekt i nisur dhe i vazhduar që në kohë më përpara nga presidenti Armand Duka, i cili me të gjithë energjitë e tij është munduar që ta bëjë këtë lobing në FIFA dhe në UEFA, në çdo seminar dhe aktivitet tjetër që është organizuar nga FIFA dhe nga UEFA ku kanë qenë çështjet e Kosovës, Federata Shqiptare e Futbollit është ngritur në diskutime të gjata për këtë. Por, mendoj që ky veprim dhe lobing duhet të jetë edhe më i gjerë edhe nga organe më të larta”.

 

-Nëse i referohemi diskutimeve të shpeshta mbi krijimin e Ligës Mbarëkombëtare të Futbollit, ndoshta arsyetimi ligjor mund të themi se qëndron, sipas statutit të FIFA-s dhe UEFA-s. Por, a ka hapësira të tjera që ta mundësojë krijimin e kësaj lige Ilir?

“Atëherë… Ky diskutim i gjerë që është zhvilluar prej kohës, pra ky diskutim, është bërë edhe përpara 1 viti kur kemi pasur takime dhe kontakte me FIFA-n dhe me UEFA-n në lidhje me këtë pjesë të statuti që të mundeshin për t’u regjistruar dhe autorizuar ekipe nga Kosova në kampionatin e Shqipërisë. Ne jemi absolutisht të gatshëm që kjo të bëhet sa më parë dhe të realizohet konkretisht, por Federata Shqiptare e Futbollit duke qenë antare e FIFA-s dhe e UEFA-s, duhet të jemi edhe koshientë që të zbatojmë ato rregulla të statutit që kanë ata”.

 

-Ilir, përpara 3-4 vjetësh vendet Skandinave (Norvegjia, Danimarka, Suedia), krijuan Ligën Mbretërore (Royal League), e cila i zhvillonte ndeshjet në periudhën e pranverës me ekipe nga të gjitha këto vende. A është e mundur që një projekt-propozim, një ide që ka ardhur nga Kosova që mudnësisht ta kemi Ligën Mbarëkombëtare në periudhën dimërore, nisur edhe nga kushtet klimaterike janë më të përshtatshme (se në Skandinavi), për ta zhvilluar duke bërë përzgjedhje të ekipeve nga të kampionatet?

“Po, është e mundur, mirëpo që deri në një farë mase të organizohet në nivele kupash apo trofesh nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit të Kosovës, që nuk janë të ligjëruar dhe njohura nga FIFA dhe UEFA. Ne këtë bashkëpunim e kemi bërë që prej pesë vjetësh. Ju jeni në dijeni që ne kemi 5 vjet që organizojmë kupën “Pavarësia” me ekipet e trevave mbarëshqiptare dhe në të vërtetë e kemi ndërmarrë këtë nismë ndoshta jashtë rregullave. Për ta zgjeruar këtëm jemi pro këtij bashkëpunimi, pra që ky të realizohet, por që do të kishte një efekt jo të mirë, sepse ekipet që do të marrin pjesë nuk do të lejoheshin të merrnin pjesë në kompeticionet europiane”.

 

-Përpara se t’ua lë radhën kolegëve në studio Ilir, kam një pyetje për ekipet kombëtare, që janë pjesa më e ndjeshme dhe më e kuptueshme për të gjithë njerëzit, institucionet dhe tifozët. Kemi pasur ditët e fundit rreth 5-6 lojtarë shqiptarë nga Kosova që janë afruar në kombëtaren e 21-vjeçarëve të Shqipërisë. A mendoni se duhet të kemi një bashkërendim më të mirë të punëve ndërmjet të dy federatave?

“Padiskutim që po! Atëherë, të gjithë lojtarët kosovarë që kanë ardhur të luajnë dhe që luajnë me Kombëtaren Shqiptare, në një moment, që shpresojmë të jetë jo i largët, Federata e Kosovës, kur të bëhet antare e FIFA-s dhe e UEFA-s, e kanë në zgjedhjen e tyre që mund të luajnë për Shqipërinë apo për Kosovën. Nuk ka pengesë ligjore në këtë aspekt. Në momentin që këta lojtarë nuk mund, nuk kanë ekipin e tyre kanë zgjedhur të përfaqësojnë dhe të luajnë për ngjyrat e Shqipërisë. Në këtë moment nuk ka asnjë mundësi tjetër dhe në rast tjetër, është zgjedhje personale”.

 

-Zoti Shulku, Xhemal Mustedanagiç, që është trajner i kombëtares së moshave (17-vjeçarët), zhvilloi takime në shtetin maqedonas në territoret etnike shqiptare, në Tetovë dhe vërejti talente të mirëfilltë që fare mirë mund të afroheshin në Kombëtaren e Shqipërisë. A ka ndonjë pengesë që edhe këta lojtarë, që për fat të keq, për shkak të rrethanave apo trajtimi që është i padëshirueshëm për shqiptarët, t’u bëhet ftesë? Lojtarët janë të Bashkimit të Kumanovës, të Shkëndijës së Tetovës, të Renovës, të Milanos së Kumanovës, që kanë qenë fitues të kupave apo të titujve kampionë në shtetin maqedonas. A është e mundur kjo?

Kjo është e mundur, por kjo zgjedhje mbetet gjithnjë në kuadrin e trajnerëve të ekipit kombëtar. Nëse trajnerët e ekipit kombëtar kanë përzgjedhur të të gjithë niveleve, nga Under 17, Under 19, Under 21 dhe në Kombëtaren e madhe, pra lojtarë nga jashtë Shqipërisë, me apo pa pasaportë shqiptare, mendoj se ata mund t’i shërbejnë ekipit kombëtar, atëherë fillojnë tratativat për t’u bërë pasaportën shqiptare. Me një fjalë, nuk mbetemi në kufirin e asaj që duhet bërë, apo në kuptimin nacionalist apo personalisht, sepse ajo bëhet nga specialistët e sektorëve përkatës në Federatën Shqiptare të Futbollit, që i servirin këta elementë”.