FSK në dispozicion të SHBA-së përballë rrezikut të pushtimit të Ukrainës

Prishtinë, 26 janar 2022 – Kosova është rreshtuar në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve tjera mbështetëse të Ukrainës, e cila përballet me rrezikun e agresionit nga Rusia.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës shpreh gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision.

Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Sefer Isufi, ka deklaruar se është e natyrshme që Forca e Sigurisë e Kosovës të jetë përkrah Shteteve të Bashkuara.

“Duke pasur parasysh që aleanca jonë me SHBA-në është e natyrshme dhe shumë e fuqishme, jemi plotësisht të gatshëm që të jemi përkrah SHBA-së dhe forcave të saj në secilin mision, ku ata vlerësojnë se mund t’i angazhojnë komponentët tonë profesionalë ushtarakë”, ka thënë Isufi, për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se FSK-ja është e gatshme të vë në dispozicion të Shteteve të Bashkua komponentët që mund të jenë pjesë e operacioneve të ushtrisë amerikane  apo të NATO-s.

“Ajo [SHBA-ja] e di më së miri se cilët komponentë të FSK-së mund t’i angazhojë në task-forcën e saj, apo t’i integrojë në kuadër të forcave të NATO-s, në operacionet eventuale në mbrojtje të vlerave euro-atlantike – gjë që është edhe vizion dhe aspiratë e Kosovës”, ka thënë Isufi.

Vitin e kaluar, Forca e Sigurisë e Kosovës ka qenë për herë të parë pjesë e misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt, së bashku me trupat amerikane.

(r.m.)