Ftesë gjyshes për të vizituar Shtetet e Bashkuara – Çfarë duhet të bëj?

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Gjyshja nuk ka qenë asnjëherë në SHBA. Tani që u bëra nënshtetas amerikan do të doja ta ftoja gjyshen të rrinte ca kohë me mua dhe familjen time. E kam një punë, por nuk po fitoj shumë para. Çfarë duhet të bëjë dikush si puna ime? 

AY

New York, New York

Si rregull, një nënshtetas i huaj që dëshiron të vijë në Shtetet e Bashkuara së pari duhet të pajiset me vizë. Viza mund të jetë vizë joemigruese për qëndrim të përkohshëm, ose vizë emigruese për qëndrim të përhershëm. Viza i jep mundësinë nënshtetasit të huaj të udhëtojë drejt një pike hyrëse në SHBA si dhe t’i kërkojë leje inspektorit të emigracionit të SHBA-së të hyjë në SHBA. Viza e “vizitorit” është joemigruese dhe zakonisht përdoret për t’u futur përkohësisht në SHBA për arsye biznesi (viza B-1), për turizëm ose trajtim mjekësor (viza B-2), ose një kombinim i këtyre dy qëllimeve (B-1/B-2).

Nëse arsyeja e vizitës së gjyshes është për qëllime çlodhjeje, përfshirë këtu dhe turizmin, takimin me miq dhe të afërm, pushimin apo trajtimin mjekësor, atëherë viza e vizitorit (B-2) do të ishte më e përshtatshmja për këtë udhëtim. 

Zyrtari konsullor në ambasadën apo konsullatën amerikane do të vendosë nëse gjyshja kualifikohet për të marrë vizë. Ligjet e emigracionit të SHBA-së presupozojnë që, nëse nuk vërtetohet e kundërta, çdo aplikant për vizë ka në plan të emigrojë. Si rrjedhim, gjyshja duhet t’i hedhë poshtë këto presupozime, duke treguar:

  • Që qëllimi i udhëtimit të saj është të hyjë në SHBA për të qëndruar përkohësisht për biznes apo turizëm;  
  • Që ka në plan të rrijë për një periudhë të kufizuar dhe të caktuar kohe;  
  • Prova që ka fonde të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet në Shtetet e Bashkuara;  
  • Që ka një banesë jashtë Shteteve të Bashkuara si dhe lidhje të tjera të forta aty që garantojnë largimin e saj nga SHBA-ja në fund të vizitës.

Ju sugjerojmë që gjyshja të mbledhë sa më shumë dokumenta që provojnë që ajo ka një punë të qëndrueshme në Shqipëri. Gjithashtu ajo duhet të paraqesë sa më shumë prova që tregojnë që ka anëtarë të ngushtë familjeje në Shqipëri siç është bashkëshorti apo fëmijët. Gjyshja duhet të mbledhë gjithashtu dokumenta që provojnë që ka pronë në Shqipëri. Zyrtari konsullor është personi që do të vendosë nëse lidhjet e gjyshes me Shqipërinë janë aq të forta sa të garantojnë kthimin e saj aty pas një udhëtimi në SHBA.

Duhet gjithashtu që të shkruani një ftesë të cilën gjyshja duhet t’ia paraqesë zyrtarit konsullor kur të paraqitet për intervistë. Letra duhet të përshkruajë lidhjen që egziston mes jush, qëllimin e udhëtimit, të citojë vendet ku do të shkojë apo personat me të cilët do të takohet si dhe vendin/et ku ka në plan të rrijë. Është shumë e rëndësishme të shkruajë që do të rikthehet në Shqipëri pas mbarimit të vizitës. Nëse jeni ju personi që do të bëhet garant financiar për gjyshen, nevojitet të përshkruani shpenzimet që do të mbuloni si ushqimi, strehimi, transporti dhe aktivitet argëtuese. 

Nëse keni ndërmend të bëheni garant për gjyshen, nevojitet të paraqisni formularin I-134 Affidavit of Support si dhe prova që tregojnë që keni të ardhura të mjaftueshme ose burime financiare që garantojnë që gjyshja nuk do kthehet në barrë publike gjatë kohës së qëndrimit në SHBA. Nëse nuk arrini të paraqisni prova që keni të ardhura apo burime financiare të mjaftueshme, aplikimi për vizë i gjyshes mund të refuzohet. 

Si rregull, për katër persona (presupozojmë që keni bashkëshorten/in dhe një fëmijë) minimumi i të ardhurave që kërkohet është $33,125. Nëse nuk e përmbushni këtë kërkesë, rekomandohet të gjeni edhe një person të dytë që të bëhet garant bashkë me ty.

Kini parasysh që nëse me dijeninë dhe vullnetin tuaj të lirë fabrikoni apo fshihni një fakt apo paraqisni një dokument të rremë me formularin I-134, viza mund t’ju refuzohet apo anullohet dhe atëherë do të përballeni me ndëshkim të rëndë si dhe të ndiqeni penalisht.

Gjyshja duhet të aplikojë për vizë pranë ambasadës amerikane shumë kohë përpara datës së udhëtimit. Formulari DS-160, Online Nonimmigrant Visa Application është hapi i parë në procesin e aplikimit për vizë. Pasi gjyshja të ketë paraqitur formularin DS-160, duhet të printojë faqen e konfirmimit të cilën duhet ta ketë me vete në intervistë. Ajo duhet të paguajë gjithashtu dhe tarifat përkatëse nëse kërkohet diçka e tillë. Më pas duhet të caktojë një takim për intervistë pranë ambasadës së SHBA-së. Për të mësuar se si të caktoni një takim për intervistë, si të paguani tarifat për procesimin e aplikimit, si të shqyrtoni instruksionet specifike të ambasadës si dhe shumë më tepër se kaq, mund t’i drejtoheni faqes në internet të ambasadës së SHBA-së në adresën https://al.usembassy.gov/sq/

Urojmë që gjyshja ta marrë sa më parë vizën dhe të vijë në SHBA për të kaluar ca kohë me ju dhe familjen tuaj.  

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]