Fushata kundër Shtetit Islamik në kampin al-Hol të Sirisë

Damask, 30 mars 2021 – Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara kanë filluar një operacion kundër atyre që dyshohen si celula të grupit terrorist Shteti Islamik. Fushata po zhvillohet brenda kampit al-Hol që gjendet në verilindje të Sirisë dhe ku strehohen mijëra refugjatë, si dhe familje të luftëtarëve të huaj të grupit Shteti Islamik.

Forcat Demokratike Siriane (SDF) kanë vënë në shënjestër celulat që i përkasin grupit Shteti Islamik brenda këtij kampi të madh refugjatësh në verilindje të Sirisë.

Kampi al-Hol, ku strehohen afro 62 mijë njerëz, përfshi mijëra familje të luftëtarëve të huaj të grupit Shteti Islamik, ka shënuar rritje të dhunës gjatë javëve të fundit. Zyrtarët lokalë fajësojnë aktivitetin në rritje të Shtetit Islamik në kamp.

Afro 6 mijë luftëtarë po marrin pjesë në spastrimin e kampit. Ali Hassan është zëdhënës për Forcat e Brendshme të Sigurisë në Sirinë Verilindore.

“Operacioni ka për synim spastrimin e kampit nga mbetjet e grupit Shteti Islamik.”

Që nga fillimi i vitit, të paktën 40 njerëz, mes tyre dy fëmijë, janë vrarë brenda kampit, thanë zyrtarët e Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarë ushtarakë lokalë thonë se faza e parë e fushatës përfshin fotografimin e banorëve të kampit dhe marrjen e shenjave të gishtërinjëve. Kino Gabrial është zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane që njihet shkurtimisht si SDF.

“Po sigurojmë indetitetin e njerëzve brenda kampit në mënyrë që të dimë se me kë kemi të bëjmë dhe nëse ka të infliltruar. Ky është një nga synimet tona.”

Një grua nga Iraku ka disa vite që jeton në kamp. Ajo thotë se shumë familje janë vënë në shënjestër nga mbështetësit e Shtetit Islamik në kamp.

“Jemi shumë të frikësuar nga kjo dhunë. Kemi frikë për fëmijët tanë.”

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se forcat e koalicionit global janë të gatshme për të siguruar mbështetje për fushatën.

(Zëri i Amerikës)