Fushata shqiptare, betejë dollarësh në SHBA

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Edi Rama mund të ketë kuptuar dje se pse është më mirë të paguash në mënyrë të hapur një firmë lobiste në SHBA sesa të paguash fshehtas për të siguruar një fotografi me Presidentin Barack Obama.
Pas disa ditësh mjaft pozitive për fushatën e tij, Kryetari i Partisë Socialiste Shqiptare, ka pësuar “skandalin” e parë. Kur çeli zyrtarisht fushatën e partisë së tij në Tiranë, Edi Rama shpalosi të madhe sa një faqe muri, një fotografi të tij me Presidentin Barack Obama.
Tani, një medium amerikan ka botuar një shkrim që tregon se ajo fotografi mund të jetë “blerë” tërthorazi duke paguar 80,000 dollarë.
Sipas shkrimit një biznesmen nga Neë Jersey ka dhënë 70 mijë dollarë për fushatën e Presidentit Obama në vjeshtën e vitit të kaluar, ndërsa e bashkëshortja e tij ka dhënë 10,000. Në takimin e presidentit që kandidonte përsëri me dhurues të fushatës së tij, biznesmeni shqiptar ka ftuar edhe Edi Ramën, të cilin duket se e ka mik personal. Kryesocialisti ka fluturuar nga Tirana posaçërisht për këtë takim, matanë, në Bregun Perëndimor amerikan.
Gjatë takimit është bërë edhe fotografia që Edi Rama e paraqiti me bujë në fillimin e fushatës së tij.
Vetë kryetari i Partisë Socialiste nuk ka bërë asnjë koment për këtë zbulim të medias. Edhe vetë biznesmeni shqiptaro-amerikan ka refuzuar të komentojë. Ndërkohë në median pranë qeverisë dhe në rrjetet sociale lajmi është pritur me shpotira e gajasje.
Mbështetësit e Berishës kanë arsye të gëzojnë. Për muaj me radhë, Rama dhe socialistët kanë fshikulluar kryeministrin me kritika që ka punësuar një firmë lobiste në Washington për të shtrembëruar të vërtetën e Shqipërisë. E kanë akuzuar se milionat e taksapaguesve po shkojnë për interesat e tij partiake. Podesta Group në fakt, të paktën në letër ka përfaqësuar Shqipërinë, jo Berishën dhe partinë e tij.
Nga ana e tij, Rama dukej se e kishte refuzuar të këtë mënyrë pune. Duke i besuar në fakt votuesit shqiptar dhe ambasadës amerikane në Tiranë. Në fund të fundit, ata që vendosin për Shqipërinë janë shqiptarët dhe jo zyrtarët në Washington.
Nuk është se Rama nuk e ka provuar punën e firmave lobiste. Vetëm se e zgjodhi një të tillë për shumë pak kohë dhe me qendër në Boston. Kjo ishte një zgjedhje pak e habitshme se firmat e tilla janë më të mira në Washington DC. Përveç, një deklarate të një kongresisti tepër liberal amerikan, duket se bashkëpunimi me atë firmë nuk ka lënë ndonjë gjurmë.
Nuk është çudi që diplomatët amerikanë të respektojnë më shumë një politikan e parti që nuk merr në punë firmat lobuese që e përdredhin mesazhin sipas hapjes së kuletës. Po nga ana tjetër, kjo është mënyra sesi bëhen shumë punë në politikën amerikane.
Në fakt, të marrësh me qira një firmë lobuese është praktikë e zakonshme në Washington. Shtete, parti politike, shoqata e individë e kanë bërë prej dekadash këtë punë. Është një kryeqytet i mbingarkuar ku edhe pak sekonda vëmendje kushtojnë shumë. Në shumë pikëpamje ky është kryeqyteti i botës.
Të refuzosh blerjen e mbështetjes me para të jep një përparësi morale, por jo nëse pastaj del që nga ana tjetër janë paguar 80 mijë dollarë për një fotografi.
Problemi kryesor këtu madje është mënyra se si serviret ajo fotografi. Nëse Edi Rama e ka përshëndetur Presidentin Barack Obama, ashtu si kanë bërë qindra mijëra vetë (përfshi edhe shumë shqiptarë) gjatë fushatës së tij presidenciale në SHBA, ku ai nuk ka rreshtur së tokuri duart e përqafuar sa më shumën njerëz që ka mundur, atëhere cila është në të vërtetë vlera e kësaj fotografie?
Tani kjo ruan një dimension pafajësie nëse vërtet, Edi Rama ishte i ftuar nga një mik i tij në një ngjarje të fushatës presidenciale amerikane. Ndonëse udhëheqësit shtetërore dhe kombëtarë nuk vrapojnë nga një anë e botës në tjetrën sa për të dhënë dorën e për të dalë në fotografi përveçse nëse vuajnë nga ndonjë provincializëm i tmerrshëm, po në fund të fundit, bëhej fjalë për njeriun më të fuqishëm të botës dhe joshja nuk është e fare pakuptueshme.
Mirëpo, tingëllon akoma më diabolike nëse Edi Rama apo njerëzit pranë tij kanë kaluar fondet me të cilat u pagua kjo pjesëmarrjeje. Artikulli “scoop” jo pa qëllim vë në dukje se ky biznesmen shqiptar nuk ka dhënë ndonjëherë më parë para për ndonjë fushatë zgjedhjesh në SHBA. As nuk ka ndonjë biznes që hedh lirisht 80,000 dollatë për një darkë me fotografi.
Nënkuptimi është që ai thjesht ka kanalizuar para që kanë ardhur nga jashtë, nga Shqipëria. “The Daily Caller” ka arsye të nënvizojë këtë moment. E njohur si medium shumë konservator, puna të përditshme ka sulmet kundër presidentit democrat Obama. Demokratët janë relatvisht të majtë në SHBA, por ata preferojnë të quhen “liberalë” se fjala “socialist” ka tingëllim shumë negative në këtë vend. Obama është akuzuar shpesh nga ultrakonservatorët si “komunist” e “socialist”. Kështu që ideja se mund të ketë marrë para fshehtas nga socialistë jashtë Amerikës përlahet po me aq shpejtësi nga supertëdjathtët në SHBA sa fluturon edhe lajmi se Rama ka paguar 80,000 për një fotografi mes mbështetësve të Berishës në Shqipëri.
Me shpoti disa shqiptarë kanë filluar të nxjerrin në rrjetet sociale fotografi të tyre me Presidentin Obama duke thënë: “Për këtë pagoi 80,000 dollarë Rama?”
Se si ka ndodhur vërtetë nuk mund të konfirmohet nëse nuk flet për këtë çështje vetë biznesmeni shqiptar (Bilal Shehu), kryesocialisti Edi Rama, apo një përfaqësues zyrtar i fushatës së zotit Obama. Ka një citim në “The Daily Caller”, po nisur nga burimi do të ishte e nevojshme edhe një konfirmim nga një burim tjetër që nuk jeton për të sulmuar Presidentin.
Në fakt, lajmi nuk do të kishte shumë rëndësi nëse fotografia do të ishte ruajtur si një kujtim i bukur me një njeri që e sheh si shembull në jetë. Mund ta botosh në facebook e ta mbash në zyrë për të të frymëzuar. Por kur e paraqet në sallën e çeljes së fushatës, në dimensione aq të mëdha, atëhere imazhi është duke u shitur si diçka tjetër. Si një bisedë historike, si një mbështetje nga Presidenti Barack Obama e kandidaturës së kryesocialistit Rama.
Kjo nuk është e ndershme së pari ndaj vetë militantëve socialistë, ndaj Presidentit Obama personalisht dhe ndaj mbarë opinionit shqiptar në tërësi.
Sigurisht, ka si gjithmonë dy anë në çdo medalje. Vërtet që biznesmeni shqiptar nuk kishte dhënë ndonjëherë para për politikë, por edhe “The Daily Caller” nuk ka shkruar ndonjëherë më parë për Edi Ramën. Fushata presicenciale e vitit 2012 ka mbaruar dhe kapitulli është mbyllur. Askush nuk është duke rrëmuar në fotografitë e harruara të atyre ditëve të vrullshme por të skaduara tashmë.
Shanset më të mëdha pra janë që dikush ka shkuar qëllimisht për të gjetur se si dhe çfarë ka ndodhur që është siguruar kjo fotografi. Ky sinjal i vogël për gazetarin investigues nuk është çudi që të ketë ardhur nga ndonjë mbështetës i Berishës në SHBA, e “gojat e liga” do të thonin nga ndonjë firmë lobuese.
Mbase po, mbase jo, po kush përveçse dikush që e njeh jashtëzakonisht mirë politikën dhe median amerikane do ta kishte përcjellë sinjalin pikërisht te një nga ato media të rralla që do ta kishin botuar një lajm të tillë në SHBA.
Nëse këto spekullime dalin të gjitha të vërteta, ato vetëm sa do ta zhgënjejnë akoma më shumë votuesin shqiptar që edhe kështu i sheh politikanët e tij si manipulatorë e mendjeshkurtër. Do të ishte edhe një mësim për Edi Ramën që lobizmi i hapur me ekspertë që njohin politikën e median se e kanë profesion të tyrin është më mirë, sesa lobizmi me kanale të fshehta duke rrezikuar jo vetëm imazhin e tij si udhëheqës po edhe duke luajtur në mënyrë të rrezikshme me ligjin në SHBA, diçka që mund të linte pasoja të pariparueshme për të e për njerëzit e tij që janë përpjekur ta ndihmojnë. Do të ishte nga ato dëshmi që na kujtojnë se nuk do të ketë vërtet “Rilindje”.