Fushata zgjedhore në Shqipëri shoqërohet me shkelje ligjore dhe abuzime

Tiranë, 15 prill 2021 – Në Shqipëri, vëzhgues të pavarur të fushatës zgjedhore vlerësojnë se veprimtaria partiake e javëve të fundit po shfaq të njëjtat shkelje ligjore si dhe në zgjedhje të mëparshme.

Shoqata për Kulturë Demokratike, një organizatë me përvojë 30-vjeçare në vëzhgimin e proceseve zgjedhore publikoi sot një raport të ndërmjetëm, sipas të cilit partitë vazhdojnë të përdorin gjuhë poshtëruese ndaj kundërshtarëve politikë, dhe një seri shkeljesh të tjera.

Raportuesit e saj vullnetarë nga gjithë vendi njoftojnë se vonimi i fletës së votimit vonoi proceset e tjera në raport me qytetarët, komisionet zonale po ndërrojnë shpesh qendrat e votimit edhe vet komisionerët, duke mos njohur kuadrin ligjore dhe duke vështirësuar votimin e qytetarëve,

“Një mungesë e ndjeshme është shkelja e të drejtës së votimit e zgjedhësve shqiptarë me vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, një detyrim shtetëror i paplotësuar ndaj shtetasve të vet për një të drejtë të pamohueshme. Po ashtu kontrolli i veprimtarive të ndaluara të zyrtarëve qendrore dhe vendorë nga KQZ rrezikon që të kthehet në një “mision të pamundur”, – tha Gerta Meta, drejtuese e Shoqatës për Kulturë Demokratike.

Në raportin e saj thuhet se partitë po përdorin burimet e administratës shtetërore për fushatë partiake, administratës publike po i bëhet presion i vazhdueshëm dhe zyrtarët po zhvillojnë fushatën sipas mënyrave të tyre të vjetra, duke shkelur Kodin e ri Zgjedhor.

Përfshirjen e anëtarëve të qeverisë në mënyrë të parregullt në fushatë zgjedhore e nxori sot në dritë edhe Qëndresa Qytetare, një organizatë rinore që gjithashtu po monitoron fushatën zgjedhore.

“Qëndresa Qytetare ka monitoruar aktivitetin publik të 3 ministrave Klosi, Denaj dhe Kushi në fushatë elektorale, ku rezulton se nga data 30 mars deri në 13 prill ministrat kanë qënë në krye të fushatës në zonat zgjedhore ku kandidojnë dhe jo në krye të detyrës nga e hëna në të premte, punë për të cilën paguhen nga taksat e qytetarëve. Kodi Zgjedhor ndalon pjesëmarrjen në fushatë e administratës publike gjatë orarit zyrtar të punës” – tha Rigels Xhemollari, përfaqësues i Qëndresës Qytetare.

Vëzhguesit vendas u bëjnë thirrje partive politike dhe institucioneve shtetërore të zhvillojnë fushatën brenda kufijve ligjorë, të mos ndryshojnë komisionerët deri në minutën e fundit, të shmangin presionet ndaj administratës publike, të bëjnë transparente financimet dhe të mos përdorin gjuhë denigruese ndaj njëri tjetrit.

Pothuaj të gjitha këto pika janë shqetësime të vazhdueshme të zgjedhjeve në Shqipëri, dhe kanë qenë vazhdimisht në krye të rekomandimeve të OSBE- ODIHR për përmirësimin e proceseve zgjedhore, që shpesh kanë shkuar me lehtësi deri në mos njohjen e rezultateve nga humbësit, me pretendimin e vjedhjes së votave.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)