Fyle: Zgjedhjet me standarde janë kyç për Shqipërinë

Komisioneri europian i Zgjerimit Shtefan Fyle tha se zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve tëpërgjithshme të 23 qershorit do të jetë prova kyç për funksionimin e mirë, besueshmërinë dhe reputacionin e institucioneve demokratike.
Qëllimi i vizitës ishin zgjedhjet dhe vota për tri aktet ligjorë që Shqipëria të marrë në qershor statusin “kandidat” për Bashkimin Europian. Komisioneri Fyle bëri thirrje për zgjedhje në përputhje me standarde ndërkombëtare e të forcojnë përgjegjshmërinë e politikanëve ndaj qytetarëve.
Zoti Fyle u takua me ambasadorin amerikan, Komisionit Europian, OSBE-së, vendeve të Bashkimit Europian, presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas njoftimit të Komisionit Europian, zoti Fyle tha se statusi “kandidat” është në dorë të politikanëve; se reformat duhet të jenë gjithëpërfshirës dhe me konsensus në të mirë të qytetarëve.
“Komisioneri nënvizoi gjatë bisedimeve të tij në Tiranë që zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të 2013 do të jetë një test kyç për funksionimin e mirë të institucioneve demokratike të vendit. Ai u bëri thirrje politikanëve të zhvillojnë zgjedhjet e qershorit në përputhje me standardet ndërkombëtare, të përmirësojnë besueshmërinë dhe reputacionin e institucioneve demokratike dhe të forcojnë përgjegjshmërinë e politikanëve kundrejt qytetarëve shqiptarë”-njoftoi zyra mediale e Komisionit Europian në Tiranë.

Berisha - FuleSi rrallëherë vizitat nuk u shoqëruan me daljen përpara gazetarëve të asnjerit prej faktorëve, përjashto ambasadorin e Holandës, por u mjaftuan me njoftime nga zyrat mediale.
Vizita u arsyetua nga Komisioni Europian nga zoti Fyle “për të diskutuar veprimet pas Konkluzioneve të Këshillit Evropian të dhjetorit të kaluar”.
“Komisioneri pati shkëmbime të hapura dhe të sinqerta me politikanët shqiptarë rreth prioriteteve të tyre përsa i përket aspiratave të vendit për integrim në Bashkimin Evropian dhe u nënvizoi partnerëve të tij që statusi kandidat për Shqipërinë është i arritshëm. U takon politikanëve shqiptarë ta bëjnë këtë realitet”. Komisioneri Füle përsëriti që Komisioni është i vendosur të forcojë më tej procesin e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“I tërë procesi i reformave që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë i qëndrueshëm, përfshirës dhe i udhëhequr nga konsensusi në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë”-u citua nga zyra e KE-së, Komisioneri Fyle pas takimeve në Tiranë.
Kryeministri Sali Berisha nuk bëri asnjë deklaratë pas takimit, por shfrytëzoi mbledhjen me deputetët e Partisë Demokratike për të komentuar. Ai tha se i druhej mundësisë për bojkotin e zgjedhjeve nga Partia Socialiste dhe kryetari Edi Rama, ndërsa theksoi garancinë që procesi të jetë i lirë dhe i ndershëm si dhe kryerjen e reformave integruese.
“Ekzistoi kuadri i një seri refromash të rëndësishme për t’u zbatuar. Ne përgatisim qeverisjen e mandatit të tretë, zotëria (kryesocialisti Rama), përgatit kuadrin e bojkotit të tretë. Poll-et e nxjerrin përtokë dhe tani, për t’i dalë përpara rezultatit që do ta ketë atë që do t’i japin shqiptarët, tha se do të fitojë 72 deputetë dhe hoqi Dash Pezën, mori Alfred Pezën”-tha zoti Berisha duke iu referuar deputetit Dashamir Peza dhe gazetarit Alfred Peza që pritet të kandidojë për deputet në Qarkun e Elbasanit, zona e Peqinit.
Ndërsa Partia Socialiste njoftoi në deklaratën e saj pas takimit se kryetari Edi Rama i paraqiti propozime konkrete zotit Fyle për të garantuar lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve dhe për të siguruar që pas 23 qershorit Shqipëria të jetë e çliruar nga pengesat e mëparshme. Partia Socialiste nuk saktësoi propozimet e zotit Rama, por vërejti se “dy palët dëgjuan, me shqetësim, për gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vigjilje të zgjedhjeve”.
“Kryetari Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule folën për fatin europian të Shqipërisë para dhe pas zgjedhjeve. Siç e paralajmëroi në “Twitter” përpara fillimit të takimeve, komsioneri adresoi disa çështje kyç për funksionimin e shteti dhe për çfarë duhet bërë konkretisht që zgjedhjet të mos preken si në të shkuarën. Të dy palët u dëgjuan, me shqetësim, për gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare. Kryetari Edi Rama paraqiti propozime konkrete, për të garantuar lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve dhe për të siguruar që pas 23 qershorit Shqipëria të jetë e çliruar nga pengesat e mëparshme”-njoftoi Departamenti i Komunikimit i Partisë Socialiste.
Kurse, presidenti Bujar Nishani shprehu besim për kryerjen e reformave integruese, zgjedhje të lira, forcimin e institucioneve dhe rolin e Shqipërisë si faktor qëndrueshmërie në Ballkan.
“Kreu i Shtetit shprehu bindjen e tij se ekzistojnë të gjitha kushtet dhe mundësitë për të patur zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda standardeve ndërkombëtare. Presidenti Nishani nënvizoi rolin kontribues të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit”-thuhej në njoftimin e presidencës.
Po sipas njoftimit, Komisioneri shprehu gjithashtu besimin për rol aktiv të zotit Nishani në kapërcimin e ngërçit politik përmes promovimit të ambientit e platformës të përqasjes pozitive të procesit të integrimit evropian, brenda axhendës së përbashkët të Shqipërisë dhe Delegacionit Evropian. Presidenti Nishani rinënvizoi edhe njëherë rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë procesi i integrimit evropian si një nga prioritetet kryesore të shoqërisë shqiptare.