Garda Kombëtare e Iowas i vlerëson lart ushtarakët e Kosovës

Iowa, 22 maj 2022 – Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka vizituar pjesëtarët e Regjimentit të Parë të Këmbësorisë të FSK-së gjatë stërvitjes së përbashkët me Batalionin 133 të Këmbësorisë të Gardës Kombëtare të Iowas.

FSK bën të ditur se, përveç fushave tjera, në fokus të kësaj stërvitjeje ishin edhe gjuajtja me mortaja, manovrimi me autoblinda në fushëbetejë dhe gjuajtje me mitraliezë 12.7mm.

“Gjeneral Jashari pa nga afër edhe gjuajtjet me mortaja të cilat janë pjesë organike e njësive të këmbësorisë dhe ofrojnë fuqi të zjarrit indirekt kundrejt caqeve të armikut”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Në njoftim theksohet se ushtarakët e Kosovës treguan profesionalizëm dhe arritën rezultate të larta, për çka u vlerësuan lartë nga oficerët e Gardës Kombëtare të Aiowas.

“Komandanti i FSK përgëzoi ushtarakët tanë dhe ata partnerë për zellin dhe përkushtimin në aftësimin në sisteme të zjarrit indirekt”, thuhet  në njoftim.

FSK, së bashku me Gardën Kombëtare të Iowas do të vazhdojnë të zhvillojnë kapacitetet profesionale me qëllim rritjen e gatishmërisë për reagim në çdo situatë me të cilën mund të ballafaqohen.

(r.m.)