Gashi: Deputetët e LDK-së po përballen me presione e shantazhe

Prishtinë, 4 prill 2021 – Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sidomos Avdullah Hoti, Driton Selmanaj dhe Agim Veliu, janë ballafaquar me presione e shantazhe, për shkak se nuk morën pjesë në votimin për president të shtunën,

Gashi tha se presionet e shantazhet ndaj përfaqësuesve të popullit në Kuvend janë të papranueshme për LDK-në dhe për demokracinë.

“Askush dhe në asnjë formë nuk guxon të ushtrojë presion dhe shantazh për bindjen e njerëzve në Kosovë dhe aq më pak ndaj deputetëve”, tha Gashi, në një adresim për medie, pak para vazhdimit të seancës së sotme të Kuvendit.

Ai paralajmëroi se LDK-ja do ta rishqyrtojë vendimin për pjesëmarrje në seancën për zgjedhjen e presidentit, nëse vazhdon një sjellje e tillë ndaj deputetëve të kësaj partie.

“Ne do të marrim pjesë në seancë, por nëse ky proces vazhdon ne do ta rikonsiderojmë qëndrimin tonë”, tha Gashi.

Ai e cilësoi si “linçim publik“ një deklaratë të ushtrueses së detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila, të shtunën, i fajësoi për dështimin e votimit për presidentin tre deputetët e LDK-së që nuk morën pjesë në votim.

“Në rast se nuk arrijmë të kemi votim të suksesshëm, i bie që historia po përsëritet dhe Kosova mund të përballet me një raund tjetër të zgjedhjeve parlamentare, pasi Hoti, Veliu dhe Selmanaj hezitojnë të marrin pjesë në votim”, ka thënë Kusari-Lila, të shtunën.

(r.m.)