Gazeta izraelite i bën jehonë deklaratës së ministres Gërvalla për ambasadën e Kosovës në Jerusalem

Tel Aviv, 1 prill 2021 – Gazeta izraelite në internet, “The Times of Israel”, ka raportuar për deklaratën e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, se çështja e ambasadës në Jerusalem është punë e kryer.

Ministrja Gërvalla e ka ka bërë këtë deklaratë duke u përgjigjur në një pyetje mbi trysninë që po ushtron presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ndaj Qeverisë së Kosovë për të rishqyrtuar vendimin për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Unë besoj se çështja e ambasadës sonë në Izrael është punë e kryer. Pse është punë e kryer? Sepse ne nuk mund të përfshihemi në aventura diplomatike për të rivlerësuar një çështje që tashmë ka përfunduar”, ka thënë Gërvalla, të martën në mbrëmje.

Ajo ka thënë se Kosova dëshiron t’i forcojë lidhjet me Izraelin, por dëshiron gjithashtu “miqësi të mirë dhe lidhje të mira me autoritetet palestineze”.

Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe e ka hapur ambasadën e saj në pjesën perëndimore të Jerusalemit. Hapja e ambasadës në këtë qytet u bë në bazë të letrës së zotimit të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, gjë që rezultoi me njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Kosova është shteti i vetëm Evropian që e hap ambasadën e vet në Jerusalem. Në Bashkimin Evropian nuk është pritur mirë vendimi që ambasada e Kosovës të hapet në qytetin me status të pazgjidhur midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Guatemala janë dy shtetet tjera të vetme që i kanë zhvendosur ambasadat e tyre në këtë qytet që kontrollohet nga Izraeli prej vitit 1967.

(r.m.)