Gazetarët në Shqipëri përballen me presione, pasiguri e rreziqe

Tiranë, 16 dhjetor 2021 – Qendra ‘Res Publica’ organizoi sot, së bashku me Këshillin e Europës dhe Bashkimin Europian, një diskutim publik mbi Sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve shqiptarë.

Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë gazetarë, gjyqtarë, diplomatë dhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat kryesore në përpjekjet për të mbrojtur gazetarët shqiptarë në punën e tyre.

Përfaqësuesja e Qendrës Europiane për Liri të Medias dhe Shtypit, me qendër në Lajpcig të Gjermanisë, Flutura Kusari, tha se gjendja e gazetarëve në Shqipëri është vërtet e keqe dhe një nga më të rëndat në Europë.

“Arsyeja pse ne vazhdojmë ta përsërisim se gjendja është e keqe është për shkak se nuk ka vullnet politik për t’u përmirësuar situata e gazetarëve. Po flasim për një shtet si Shqipëria, ku gazetarët nuk janë të lirë të raportojnë. Shumica e gazetarëve, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk kanë të drejtë të vendosin se çfarë është në interes të publikut dhe çfarë jo. Pra, ata kanë një vetëcensurë, për shkak të kushteve në të cilat jetojnë. Gazetarët jo vetëm që nuk kanë kontrata, por edhe ata që kanë, nuk kanë qasje në ato kontrata. Paguhen cash, nuk kanë qasje në informacione dhe kanë një mbyllje hermetike të institucioneve. Në takime si sot ne e dokumentojmë se çfarë po ndodh, por për aq kohë sa nuk ka vullnet politik, nga Partia Socialiste në këtë rast, që të përmirësohet situata, do të vazhdojmë të kemi një situatë të rënduar dhe një nga më problematiket në kontinentin e Europës. Jo më keq se Turqia, Polonia, Azerbajxhani, por është jashtëzakonisht të rënduar”, tha zonja Kusari.

Shqetësimit të gazetarëve shqiptarë iu bashkua përsëri ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili theksoi se asnjë gazetar nuk duhet të dëmtohet për shkak të punës që bën, se ata duhet të ndihen të sigurt për të punuar dhe se pa lirinë e medias nuk ka shoqëri të lirë dhe demokratike.

Ambasadori Soreca tha se liria e shprehjes dhe e medias është një pikë e rëndësishme në marrëdhëniet e BE-së me vendet kandidate si Shqipëria, dhe një standard kyç me të cilin BE-ja vlerëson përparimin e vendeve kandidate drejt anëtarësimit.

“Raporti vjetor i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2021 vëren se atmosfera e sulmeve verbale, fushatat shpifëse dhe akte e kërcënimit kundër gazetarëve ekzistojnë ende madje deri ditët e fundit”, tha ambasadori Soreca.

Raporti theksoi se për asnjë nga sulmet e raportuara kundër gazetarëve vitin e kaluar nuk pati dënim të formës së prerë, kur përkundrazi nevojitet tolerancë zero ndaj sulmeve kundër medias. Ai këmbënguli te vetërregullimi në mediat online dhe theksoi se parlamenti dhe qeveria i kanë kanë konfirmuar BE-së se nuk kanë asnjë qëllim për të vazhduar me diskutimin dhe miratimin e të ashtuquajturit projektligj për median.

“Nëse do të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimin e tyre në të ardhmen, presim që parlamenti dhe qeveria të mbajnë angazhimin e tyre për të siguruar që çdo ndryshim i mundshëm i këtij projektligji të jetë në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias dhe t’i nënshtrohet konsultimeve të duhura me palët e interesuara dhe me bashkësinë e mediave”, tha ambasadori Soreca.

Ndërsa reporterja investigative, Lindita Çela, pjesë e projektit për raportimin mbi krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, tha se këto tryeza me ndërkombëtarët janë shumë të rëndësishme për të mbrojtur gazetarët, sepse kanë mbetur të vetmet mënyra për të ngritur zërin dhe për t’i diskutuar problemet. Por, pasi mbyllen këto tryeza me ndërkombëtarët, askush nuk merret me problemet e vërteta që kanë gazetarët në Shqipëri.

“Pas këtyre takimeve, ne përfshihemi në punën tonë të përditshme dhe të gjitha këto vështirësi që renditen në tryeza të tilla përsëri ngelemi ne vet duke u përballur. Gazetaria në Shqipëri ka aktualisht problematika shumë të mëdha, që burojnë prej dëshirës që ka qeveria për të kontrolluar mediat. Duket se mediat janë krejtësisht nën kontrollin e qeverisë. Ne kemi edhe një vendim të qeverisë, i cili synon të krijojë një agjenci, dhe që ka nisur të quhet ministria e propagandës. Duket se gazetarët janë të lënë të vetëm në betejën e tyre”, tha zonja Çela.

Vetërregulllimi i bashkësisë së gazetarëve vlerësohet si rruga më e mirë për rregulluar gjendjen kritike, por edhe këtu mbeten përsëri shumë cështje në dorë të qeverisë, thotë zonja Kusari, për sa kohë që mediat ndikohen dhe përdoren fuqishëm nga politika dhe bizneset, që i kanë ato nën pronësi.

“Nuk mund të presësh vetë-rregullim kur shumica e pronarëve të mediave janë biznesmenë, të cilët nuk e kanë median si biznes të parë, por i përdorin ato si mjet për të shantazhuar qeverinë, ose si i thonë këtu në Shqipëri për disa prej tyre, janë gjobëvënës. Nuk presësh në këto kushte që ata të rregullojnë vetveten. Shpresa e parë dhe më e madhe mbetet tek ndikimi ndërkombëtar, sepse Shqipëria aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Ende mund ta përdorim ndikimin ndërkombëtar në mënyrë që të përmirësohen gjërat. Ndonëse situata është e rënduar, ka gazetarë të mirë e të guximshëm, edhe pse në numër të vogël, dhe shpresa është tek ata” – tha zonja Kusari e Qendrës Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit.

Shqipëria është në prag në hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian dhe nevojitet të përmbushë standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve, të shtojë masat mbrojtëse dhe një mjedis të sigurt pune për ta.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)