Gazetarja britanike – Lavrovit: “Më shihni në sy dhe më thoni si mund t’ju zë gjumi…?”

Londër, 4 mars 2022 – Gazetarja e kanalit britanik Channel 4 News, Cathy Newman, i ka drejtuar mininistrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, disa pyetje shumë të nxehta lidhur me agresionin rus në Ukrainë.

Gjatë një interviste online, Newman i është drejtuar Lavrovit edhe me pyetje lidhur me vrasjen e civilëve nga trupat ruse në Ukrainë. Ajo e ka pyetur Lavrovin edhe për ndjesinë lidhur me vrasjen e fëmijëve dhe civilëve të pafuqishëm. ”Më shikoni drejt në sy dhe më thoni si mund t’ju zë gjumi, duke e ditur se bombat ruse po vrasin fëmijë?” e ka pyetur ajo Lavrovin.

Por, Newman e ka pyetur Lavrovin edhe për përgjegjësinë e tij penale lidhur me krimet e luftës në Ukrainë. Madje, ajo e ka pyetur Lavrovin edhe nëse ai ka gjetur avokat që do ta mbrojë në gjyqin për krime lufte.

Ministri i Jashtëm rus është përpjekur t’u shmanget pyetjeve, duke e akuzuar gazetaren Newman se po bënte pyetje që e ngarkojnë emocionalisht audiencën, me qëllim që të krijohej disponim anti-rus.

Channel 4 News ka publikuar në rrjetet sociale pjesë nga intervista.

Transcripti në shqip (sipas Panorama.al):

Gazetarja: Zoti Lavrov, dua t’ju pyes diçka për Polina Zapadynskaya. Ajo ishte në vitin e fundit të shkollës fillore. U qëllua për vdekje nga rusët teksa ishte në veturë me familjen e saj, në Kiev, të shtunën. Zoti Lavrov, unë e di se edhe ti e ke një vajzë. Dua të më shihni në sy dhe të më thoni si mund t’ju zërë gjumi duke e ditur që bombat dhe plumbat rusë po i vrasin fëmijët?

Lavrov: Pra, çfarë mund të them tjetër përveç asaj që kam thënë tashmë. Çdo jetë e njeriut është e çmuar. Çdo aksion ushtarak, fatkeqësisht, lidhet me humbjen e jetëve, jo vetëm në mesin e personelit ushtarak por edhe në mesin e civilëve. Personeli ynë ushtarak që është i përfshirë në këtë operacion special kanë një urdhër shumë të rreptë për të përdorur vetëm me saktësi të madhe pajisjet ushtarake, për të shtypur infrastrukturën ushtarake. Madje, edhe kazermat ku ushtria ukrainase është e vendosur nuk janë subjekt i ndonjë sulmi. Unë vetëm mund të shpreh ngushëllimet e mia.

Gazetarja: Zoti Lavrov, ti the se po përdoret saktësi e lartë, por me qindra civilë raportohet se kanë vdekur. Tani kjo po hetohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Po ju pyes nëse ju personalisht jeni duke e përgatitur mbrojtjen për një gjykim për krime të luftës?

Lavrov: Unë e kuptoj dëshirën tënde për të bërë kaq shumë pyetje të nxehta, pasi doni ta ngarkoni emocionalisht audiencën tuaj. Kjo është puna juaj, me aq sa kuptoj – të mos funksionojë si media, por më shumë si një instrument për t’i goditur me çekan kokat e njerëzve. Dua ta përsëris prapë: Nuk po e justifikoj asnjë aksion që çon në vdekjen e civilëve. Por, ne nuk jemi ata që kemi dalë me shprehjen e dëmit kolateral. Ajo u krijua nga kolegët perëndimorë, gjatë arratisjeve në Irak dhe më parë në shtetet tjera, Amerika Latine, Libia. A ke pasur ndonjëherë të njëjtën ngarkesë emocionale për t’i mbuluar ngjarjet në Irak e në Libi, ku pati qindra e mijëra viktima civile? Nuk e mbaj mend. Pra, po shoh që pyetja juaj ishte retorike.

Gazetarja: Po, absolutisht, Zoti Lavrov. Por, ti e ke filluar këtë luftë. Gjaku i Polinas është në duart e tua, apo jo?

Lavrov: Ti po luan një lojë apo je duke e luajtur drejtuesen e një talk-show? Nëse dëshiron ta dish opinionin tim personal: si jeni sjellë në 8 vitet e fundit, kur vajzat si ajo, bashkë me gra të moshuara, janë vrarë nga mijëra mina në Donbas? Ato janë vrarë nga regjimi ukrainas. Të lutem, vizitoje faqen tonë të ministrisë për më shumë informacione.

(r.m.)