Gazetarja ukrainase në Prishtinë: Putin përpiqet të fshehë se çfarë po ndodh në Ukrainë

Prishtinë, 18 prill 2022 – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk dëshiron që bota të dëgjojë të vërtetën për atë që po ndodh në Ukrainë, prandaj ushtarët rusë po i vrasin gazetarët, tha Lyudmila Makey, gazetarja e parë ukrainase që është strehuar në Kosovë, teksa nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njoftuan se edhe tre gazetarë ukrainas kanë shprehur interesimin që të vijnë në Kosovë.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, ajo tha se të paktën 21 gazetarë në Ukrainë janë vrarë dhe 25 të tjerë janë të zhdukur në qytetin e Mariupolit, qëkur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Ajo shprehu falënderim për Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e popullit të Ukrainës në këtë periudhë të vështirë nëpër të cilën po kalon. Po ashtu ajo tha se qytetarët e Kosovës e dinë se nëpër çfarë situate po kalon populli ukrainas, pasi të njëjtit kanë përjetuar një luftë të ngjashme.

“Në Rusi lufta në Ukrainë quhet operacion i posaçëm ushtarak. Për Ukrainën kjo është tragjedi e madhe dhe gjenocid, për këtë arsye Putini nuk ka interes që bota të dëgjojë të vërtetën prandaj po vriten gazetarët”, tha Makey.

Ajo foli për vrasjen e fotoreporterit Maks Levin, i cili u gjet i vrarë në rajonin e Kievit, pasi forcat ruse u tërhoqën nga ky rajon në fillim të prillit.

“Rusët nuk shikojnë se ne na shkruan Press në xhaketat tona, por qëllimi i tyre fatkeqësisht” është që të vrasin gazetarët, tha ajo.

Makey ka arritur në Kosovë më 17 prill, në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”, program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Ky progam në Kosovë zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Gazetarëve ukrainas do t’iu ofrohen të gjitha mundësitë për të ushtruar profesionin e tyre nga Kosova.

Gazetarja ukrainase përshkroi edhe ditën e 24 shkurtit, kur nisi pushtimi i Ukrainës, duke kujtuar se disa kohë më parë ajo kishte qenë në një koncert filarmonie, ku kishte dëgjuar muzikë të mirë dhe mëngjesin e 24 shkurtit ishte zgjuar me zhurmat e avionëve rusë që fluturonin mbi banesën e saj.

Ajo tha se e gjithë familja e saj është gjallë dhe gëzohet për mundësinë që të mund të vazhdojë punën e saj nga Kosova. Ndërkaq, tregoi po ashtu se familjarët e saj në Rusi nuk i kanë besuar se forcat ruse po sulmojnë Ukrainën, duke thënë se sulmet po kryen nga pala ukrainase.

Ndërkaq, Flutura Kusari, bëri të ditur se gazetarët jo vetëm nga Ukraina, por edhe shtete të tjera që konsiderohen të rrezikshme për gazetarët, mund të aplikojnë në programit “Gazetarët në Rezidencë”.

Ajo tha se aktualisht e kanë një listë prej 30 personash që kanë aplikuar, ndërsa tre prej tyre kanë shprehur interesimin që të vijnë në Kosovë.

“Faza e dytë është që të pyesim këta gazetarë a duan të qëndrojnë në Gjermani apo të vijnë në Kosovë. Prej tyre, tre specifikisht kanë kërkuar që të vijnë në Kosovë, ndërkaq një numër tjetër thonë se nëse është programi i gatshëm, jemi të interesuar të shkojmë ose në Gjermani ose në Kosovë”, tha Kusari.

Ajo shtoi se pas kësaj gazetarët i nënshtrohen një procesi verifikimi, edhe nga institucionet e sigurisë në Kosovë.

Kusari tha se janë të gatshëm që të strehojnë edhe familjarët e gazetarëve, nëse ka kërkesa të tilla.

Sipas saj, gazetarët që vijnë në Kosovë, do të mund të qëndrojnë për gjashtë muaj. Ata do të marrin 500 euro në muaj pagë, 300 euro do të kenë për qira dhe 1,000 për udhëtim. Këtyre gazetarëve po ashtu do t’iu ofron shërbime sociale dhe psikologjike.

Në mars, Qeveria e Kosovës tha se është e gatshme të strehojë 20 gazetarë ukrainas dhe për këtë ndau 150,000 euro.

Kosova po ashtu ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

(REL)