Genci Nimanbegu zgjidhet kryetar i ri i Forcës së Re Demokratike

Forca e Re Demokratike, me 30 tetor 2021 mbajti Kuvendin e IV-të zgjedhor. Kuvendi u mbajt në Ulqin, në hotelin Mediteran.

Në Kongres morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, partive politike dhe sektorit joqeveritar, si: Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Mal të Zi SH.S. znj. Songul Ozan, Konsull i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi z. Adi Hoxha, nënkryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) Abaz Dizdareviq, shefi i Klubit Parlamentar të Frontit Demokratik (DF), z. Sllaven Radunoviq, deputetët e Malit të Zi Demokratik znj. Zdenka Popoviq dhe znj. Tamara Vujoviq, nënkryetari i Lëvizjes Qytetare URA, z. Goran Gjuroviq, në emër të Partisë Popullore Socialiste (SNP) z. Andrija Qetkoviq, kryetari i Social Demokratëve të Malit të Zi z. Ivan Brajoviq, deputeti i Kuvendit të Malit të Zi, nga Partia Socialdemokrate e Malit të Zi Dr. Draginja Vuksanoviq Stankoviq, kryetari i Partisë Boshnjake të Malit të Zi, z. Ervin Ibrahimoviq, kryetari i Partisë Liberale dhe deputeti i Kuvendit të Malit të Zi z. Andrija Popoviq, kryetari i Iniciativës Qytetare Kroate, z. Adrijan Vuksanoviq, kryetari i Listës për një Tivar më të Mirë z. Radomir Novakoviq-Cakan, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik dhe deputeti në Parlamentin e Serbisë z. Shaip Kamberin, kryetari i Kuvendit të Bujanovcit z. Enver Ramadani, kryetari i Alternativës shqiptare z. Nik Gjeloshaj, njëherit edhe kryetar i Komunës së Tuzit, kryetari i Partisë Demokratike z. Fatmir Gjeka, njëherit edhe deputet në Kuvendin e Malit të Zi, kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve z. Mehmet Zenka, drejtori politik i Lidhjes Demokratike Shqiptare z. Bujar Hasangjekaj, njëherit edhe kryetar i Kuvendit te Komunës së Gucisë, kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi z. Saubih Mehmeti, kryetari i Lëvizjes qytetare Perspektiva z. Amir Hollaj, kryetari i Partisë qendrore shqiptare për integrim dr Isat Jakupi.

Në këtë kuvend Forca ka bërë ripërtëritjen e organeve udhëheqëse me struktura të reja, duke vënë në funksion pozicione të reja të strukturave partiake të cilat do të ndikojnë pozitivisht në avancimin dhe përfaqësimin e partisë dhe të popullit të cilin e përfaqëson, duke aprovuar edhe Statutin dhe Programin e ri politik.

Momente të reja në ndryshimin e strukturës politike të Forcës është zgjedhja e Këshillit të ri qendror dhe zgjedhja e kryetarit të ri të partisë, ku në këtë funksion të rëndësishëm politik, pas udhëheqjes 16 vjeçare të Nazif Cungut, sot Kuvendi i Forcës ka zgjedhur liderin e ri, deputetin Genci Nimanbegun.

Cungu në fjalimin e tij përshëndetës gjatë punës së Kuvendit, tha se Forca është themeluar me qëllime të sinqerta, si kombëtare, ashtu edhe qytetare, duke tentuar të mbrojë dinjitetin e secilit individ drejtë një jete më të mirë. Zotëri Cungu në fjalimin e tij potencoi se Forca sot po bëhet edhe më e fortë. “Po forcojmë strukturat tona politike dhe po krijojmë bazë për fitoret e radhës, të cilat do të japin kontribut në sigurimin e paqes dhe stabilitetit për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme”, deklaroi Cungu.

Kryetari i sapo zgjedhur dhe lideri i ardhshëm i Forcës, Genci Nimanbegu, në fjalimin e tij të parë në cilësinë e kryetarit, para delegatëve tha se Kuvendi i IV-të zgjedhor i Forcës, është standard i ri demokratikë për subjektet shqiptare dhe dëshmon që ndryshimi i pozitave vjen natyrshëm, rrjedhshëm dhe si maturi politike dhe njerëzore.

“Shpresa është këtu fjala e ditës, duhet t’ia kthejmë shpresën njerëzve që shoqëria jonë do të jetë jo vetëm e barabartë me të tjerat sa i takon drejtave dhe shanseve këtu në Mal të zi por edhe më shumë se aq, shoqëri e dialogut, maturisë në marrjen e vendimeve dhe respektimit të principeve më të larta morale njerëzore dhe politike.

Si parti kombëtare, kemi nevojë që të rikthejmë shpresën tek shqiptarët se shqiptari është i pathyeshëm kudo që të jetë, se të jesh shqiptar është krenaria më e madhe, se të flasësh shqip është dashuria më e madhe dhe të rrisësh fëmijën si shqiptar është arritje e madhe. Prandaj, shqiptarët në Mal të Zi duhet të kuptojnë se problemet e tyre fitojnë zërin më të drejtë dhe më të mirë përçuar vetëm me Forcën e Re Demokratike si parti kombëtare.

Më përshkon një ndjenjë gëzimi kur kuptoj se e gjithë sakrifica ime, puna e pa ndalur, angazhimi i madh dhe çdo përpjekje e bërë është vënë re, është vlerësuar nga ana juaj dhe aq më shumë, ka bërë që sot ju të më nderoni me përgjegjësinë e re”, theksoi kryetari i sapoemëruar i Forcës, Genci Nimanbegu.

Me rifreskimin e kuadrove dhe mënyrën e re të funksionimit të partisë, duke shfrytëzuar përvojën e deritanishme, Forca do të vazhdojë me prioritetet programore dhe strategjike siç janë përfaqësimi autentik i shqiptarëve në Mal të Zi, zhvillimi ekonomik në komunat me shumicë shqiptare, reduktimi i dallimeve programore dhe bashkëpunimi më i mirë me subjektet tjera politike shqiptare dhe subjektet tjera me strategji progresive demokratike nga vendi dhe jashtë, demokratizimi i shoqërisë dhe vazhdimi i të qenit partner i sigurt në rrugën drejt përmbushjes së kushteve për anëtarësim të plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

malesia.org