Gërvalla: Kosova dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie jashtëzakonisht të mira

Podgoricë, 18 korrik 2022 – Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, e ftuar nga homologu i saj malazez, Ranko Krivokapiq qëndroi të hënën në Podgoricë, ku folën për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për rrugën e përbashkët drejt integrimeve europiane. “Mali i Zi e njohu Kosovën dhe ne e konsiderojmë atë një nga vendimet e rëndësishme. Takimi i sotëm është rrjedhojë e kësaj, ku ne po kërkojmë rrugë të përbashkëta që do të na çojnë në Bashkimin Europian dhe në këtë kuadër Mali i Zi është një mik që dëshiron të ndihmojë Kosovën”, tha shefi i diplomacisë malazeze, Ranko Krivokapiq në konferencën e përbashkët me gazetarë në vilën Gorica.

Ministrja e jashtme e Kosovës Donika Gërvalla Schwarz e falënderoi kolegun e saj për ndihmën që Mali i Zi në vazhdimësi i dha Kosovës , e sidomos në ditët e tyre më të errëta, me dëbimin e shqiptarëve nga Kosova gjatë luftës.

“Diskutuam edhe orientimin e Malit të Zi dhe Kosovës kur bëhet fjalë për një qëndrim të përbashkët ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë. Që në ditët e para, të dy vendet e dënuan agresionin dhe i dërguan mbështetje Ukrainës “, tha zonja Gërvalla.

Bashkëpunimi ynë, shtoi ajo, “është i jashtëzakonshëm si në nivel dypalësh ashtu edhe brenda institucioneve ndërkombëtare”.

“Dy vendet tona nuk kanë alternativë kur bëhet fjalë për BE-në dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë bashkëpunimin që e shohim në radhë të parë në kuadër të procesit të Berlinit. Diskutuam edhe për mundësitë e lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve. Ne nuk jemi vetëm dy vende fqinje, por edhe vende, marrëdhëniet e të cilave bazohen në miqësi të gjatë “, tha ministrja Gërvalla.

Kjo është vizita e parë e ministres së Jashtme të Kosovës zonjës Gërvalla në Mal të Zi.

Mali i Zi është ndër vendet e para të rajonit që e njohu pavarësinë e Kosovës dhe se marrëdhëniet e tyre ishin në vazhdimësi të mira.

Çështja e demarkacionit të kufirit me Kosovën është e vetmja çështje që pala kosovare disa herë e ka potencuar duke pretenduar rishqyrtimin e tij.

Mirëpo, zyrtarët malazezë përsëriten se asnjë marrëveshje të ratifikuar nuk kthehet në rishqyrtim dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë as në rastin me Kosovës.

Kosova dhe Mali i Zi e kanë nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)