Gërvalla – mërgimtarëve: Vaksinohuni para se të vini në Kosovë

Prishtinë, 19 maj 2021 – Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një prezantim virtual që pati të martën për publikun gjermanishtfolës, bëri të qartë se prioriteti i kryesor i qeverisë Kurti, është luftimi i pandemisë dhe i korrupsionit.

Zonja Gërvalla u bëri thirrje pjesëtarëve të mërgatës kosovare në Gjermani që të vaksinohen përpara se të vijnë në Kosovë, për pushime:

“Ne nuk kemi vaksina,” tha ajo, citon DW.

“Deri tani kemi arritur të sigurojmë vetëm 60 mijë vaksina. E ato nuk na mjaftojnë as për dhjetë përqind të popullsisë. Tani po vjen vera dhe të gjithë do të kthehen për pushime. Prandaj ju lutem të gjithëve para se të vijnë në Kosovë që të vaksinohen”, shtoi ministrja Gërvalla.

Me këtë deklaratë, ajo bëri të qartë se Koaova ka nevojë për ndihmë urgjente për luftimin e pandemisë, konkretisht për sigurimin e vaksinave.

Takimi virtual ishte organizuar nga Shoqata e Evropës Juglindore dhe ODA (Organizata e Laureatëve Shqiptaro-Gjermanë), në Hamburg. Në fillim të takimit Peter Beyer, i ngarkuari i qeverisë gjermane për marrëdhëniet transatlantike, dhe raportues i grupit parlamentar CDU/CSU për Kosovën në Bundestag dhe Këshillin e Evropës, dhe Muhamet Idrizi,  kryetari i shoqatës ODA shprehën pritmëritë e tyre ndaj qeverisë së re të Kosovës.

(r.m.)