Gërvalla në Athinë: Njohja e Kosovës nga Greqia do të ishte hap historik

Athinë, 20 janar 2022 – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar të enjten në Athinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se ministrja Gërvalla i ka bërë thirrje Qreqisë ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ajo ka thënë se njohja de pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Greqinë, do të ishte një lëvizje e rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe do të mundësonte një dinamikë të re në zgjidhjen e problemeve afatgjata në Ballkan.

“Jo vetëm për vendet tona, por më shumë për fëmijët dhe për nipërit tanë, kjo do të ishte një premtim për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Evropë. Një hap i tillë do të ishte historik dhe mendojmë se është diçka që duhet të bëhet”, citohet ministrja Gërvalla.

Nga ana e tij, kryediplomati grek Nikos Dendias, ndër të tjera, ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të shikojë kah e ardhmja dhe jo nga e kaluara. Ai ka  theksuar se perspektiva e vetme e vendeve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në Bashkimin Evropian.

Shefi i diplomacisë greke ka theksuar se mbrojtja e parimeve dhe vlerave, si demokracia, shteti ligjor dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, duhet të jenë busullë politike, ekonomike dhe kulturore për vendet e Ballkanit.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës bëhet e ditur se ministrja Gërvalla ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të avancuar marrëdhëniet bilaterale me Greqinë, të cilën  ajo e ka cilësuar i shtet të rëndësishëm të Evropës Juglindore dhe si kontribuues të rëndësishëm në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Ajo ka theksuar se Kosova e vlerëson Greqinë si shtet mik dhe partner dhe e çmon për konstruktivitetin e saj në raport me agjendën evropiane të Kosovës dhe me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Gërvalla e Dendias kanë theksuar rëndësinë e avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e energjisë. Ministrja Gërvalla ka thënë se Kosova ndodhet në fazën e shqyrtimit të opsioneve më të mira sa i përket strategjisë energjetike.

“E ardhmja jonë energjetike ngërthen në vete energjinë tradicionale dhe të ripërtrishme. Ne jemi në kontakt me miqtë tanë për opsionet për tranzicionin sfidues në këtë fushë. Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me Greqinë për detajet dhe për vendimet tona në këtë drejtim”, citohet ajo.

Në takim është diskutuar edhe për çështje të politikës së jashtme, çështje evropiane dhe rajonale. Zonja Gërvalla ka theksuar se Kosova aspiron integrimin në nëstrukturat euro-atlantike. Në këtë kontekst, ajo ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, si parakusht për fuqizimin dhe demokratizimin e mëtejmë të vendit.

Bashkëbiseduesit kanë biseduar edhe për mundësitë e zgjerimit  të bashkëpunimit mesKosovës e Greqisë në fusha të tjera, si: kultura, shkenca, arsimi dhe shëndetësia.

Image preview

(r.m.)

Comment

*