Gërvalla: Nuk ka Mini-Shengen. Është fake. Është një kurth

Dubrovnik, 10 korrik 2021 – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka hedhur poshtë nismën për “mini-Shengenin” rajonal, të inicuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbështetur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Në Forumin e Dubrovnikut, ku është diskutuar për Bashkësinë Ndërkombëtare dhe Ballkanin Perëndimor, zonja Gërvalla e ka cilësuar këtë nismë si mashtrim të rrezikshëm.  

“Kosova, qeveria jonë dhe qytetarët tanë nuk do të bien në kurthin e ndarjeve, cinizmit apo koncepteve alternative, siç është, për shembull, Mini-Shengeni, i cili bie ndesh me BE-në dhe parimet bazë të projektit më të suksesshëm në historinë evropiane. Mini-Shengeni na katapulton në kohë të vjetra të këqija, kur njëra palë përpiqej të dominonte gjithë të tjerët”, është shprehur ajo.

“Më lini të jem shumë e qartë: nuk ka Mini-Shengen. Është Fake. Dhe është një kurth, sepse pretendon të jetë si BE-ja, pa qenë i tillë.

Shengeni i vërtetë është pikërisht e kundërta e asaj që quhet Mini-Shengen, sepse Shengeni i vërtetë është krijuar jo në fillim të tregut të përbashkët evropian, por përkundrazi, ka qenë rezultat i reformave të thella dhe negociatave të ndërlikuara mes shteteve anëtare të BE-së”, ka thënë ministrja Gërvalla.

“Ne kërkojmë Shengenin e vërtetë dhe Evropën e vërtetë. Jo mashtrimin e Shengenit, i cili shkakton përçarje të rrezikshme”, ka theksuar ajo.

Zonja Gërvalla e ka shfajësuar Bashkimin Evropian për ngecjet e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimorrajonit. Ajo ka thënë se vendet  e rajonit nuk e kanë bërë detyrën e tyre.

“Me gjithë vështirësitë dhe sfidat duhet konstatuar që BE-ja na ka ofruar më të mirën që posedon – perspektivën e anëtarësimit në projektin më të suksesshëm të historisë evropiane. Prandaj, mbi të gjitha për veten tonë, ne duhet të përmbushim detyrat tona: duhet të ndërtojmë shtetin ligjor, duke përfshirë edhe të qenit të ashpër ndaj korrupsionit; duhet të garantojmë lirinë e shtypit dhe të bëjmë reformë të vërtetë ligjore”, ka thënë ajo.

“Ne ende nuk kemi arritur aty. Dhe nuk asnjë arsye pse ta fajësojmë BE-në për gabimet tona. Askush nga ne nuk do të duhej të mashtronte veten duke thënë apo menduar që mund të hyjmë (në BE) pa i kryer punët tona”, ka theksuar shefja e diplomacisë së Kosovës.

Fjala e plotë e ministres Gërvalla:

Kolegë të nderuar,

para se të filloj diskutimin tim, dëshiroj t’ju ftoj që të gjithë së bashku të kujtojmë një ditë të rëndësishme. Nesër është data 11 korrik. Kjo datë shënon gjenocidin e kryer në Srebrenicë. Në vitin 1995. Jo shumë larg nga këtu.

Kuvendi i Kosovës para pak ditësh ka aprovuar një rezolutë rreth këtij gjenocidi. Ndërkohë që flasim për të ardhmen, nuk do të duhej t’i harronim rreziqet e së kaluarës.

Karantina është shumëdimensionale. Do të doja sot të veçoja karantinën politike.

Ndërkohë që shpresojmë që hap pas hapi jemi duke e lënë pas vetes pandeminë dhe të kemi marrë mësime të shumta nga kjo periudhë më shumë se një vjeçare, le të flasim pak për BE-në dhe për ne, por sidomos rreth asaj se çfarë duhet të bëjmë ne për t’u bërë anëtarë të BE-së. Dhe kur them ne, fjalën e kam për 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Me gjithë vështirësitë dhe sfidat duhet konstatuar që BE-ja na ka ofruar më të mirën që posedon – perspektivën e anëtarësimit në projektin më të suksesshëm të historisë evropiane.

Prandaj, por mbi të gjitha për veten tonë, ne duhet të përmbushim detyrat tona:

Duhet të ndërtojmë shtetin ligjor, duke përfshirë edhe të qenit të ashpër ndaj korrupsionit.

Duhet të garantojmë lirinë e shtypit dhe të bëjmë reformë të vërtetë ligjore.

Ne ende nuk kemi arritur aty. Dhe nuk asnjë arsye pse ta fajësojmë BE-në për gabimet tona.

Askush nga ne nuk do të duhej të mashtronte veten duke thënë apo menduar që mund të hyjmë (në BE) pa i kryer punët tona.

Kosova, qeveria jonë dhe qytetarët tanë nuk do të bien në kurthin e ndarjeve, cinizmit apo koncepteve alternative, siç është për shembull Mini-Shengeni, i cili bie ndesh me BE-në dhe parimet bazë të projektit më të suksesshëm në historinë evropiane. Mini-Shengeni na katapulton në kohë të vjetra të këqija, kur njëra palë përpiqej të dominonte gjithë të tjerët.

Më lini të jem shumë e qartë: nuk ka Mini-Shengen. Është Fake. Dhe është një kurth, sepse pretendon të jetë si BE-ja, pa qenë I tillë.

Shengeni i vërtetë është pikërisht e kundërta e asaj që quhet Mini-Shengen, sepse Shengeni i vërtetë është krijuar jo në fillim të tregut të përbashkët evropian, por përkundrazi, ka qenë rezultat i reformave të thella dhe negociatave të ndërlikuara mes shteteve anëtare të BE-së.

Por para së gjithash, shtetet anëtare të BE-së tregun e tyre të përbashkët dhe Shengenin e tyre e kanë krijuar me konsensus të përbashkët. Jo kundër njëri-tjetrit. Jo në stilin që Gjermani dhe Franca të bëhen së bashku kundër të tjerëve. Jo.

Është ndërtuar mbi konsensusin dhe besimin e ndërsjelltë dhe duke respektuar të gjithë njëri-tjetrin.

Konsensusi dhe kompromisi janë parime bazë të BE-së. Kjo është arsyeja se pse BE-ja është një projekt kaq i rëndësishëm i paqes së krijuar pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Sepse është ndërtuar mbi konsensusin, kompromisin, besimin e ndërsjelltë dhe vlerat e përbashkëta. Këto parime jo vetëm që e kanë ruajtur BE-në nga konfliktet, por këto parime mund ta ruajnë edhe Ballkanin nga konflikte të reja.

Mini-Shengeni është e kundërta e arritjeve të brishta të deritanishme në rajon, sepse e eleminon parimin e konsensusit, është i destinuar të eleminojë tregun e përbashkët, të lëndojë rëndë besimin e brishtë dhe bën bashkë dy apo tre palë, në dëm dhe kundër të tjerëve.

Ndërkohë që disa i kanë duartrokitur fillimisht kësaj ideje, të tjerët e kanë nuhatur rrezikun, sepse taktika e përfitimit është e destinuar të na përçajë dhe të shkatërrojë besimin. Por mbi të gjitha na kthen prapa, në kohë të vështira për Balkanin. Një strategji e tillë do të thotë që të veprojmë kundër njëri-tjetrit, në vend që ta trajtojmë njëri-tjetrin si të barabartë.

Një gjë e tillë do ta rrezikonte edhe konceptin e gjashtë shteteve të Ballkanit si grup dhe do të dëmtonte përpjekjet tona për t’u integruar në BE.

Mesazhi kryesor i Mini-Shengenit është: Harrojeni BE-në, të veprojmë siç dijmë vet.

BE-ja është absolutisht kundër mbisundimit në Ballkan të dy apo tri palëve mbi të tjerët. Një gjë e tillë në të kaluarën është treguar shumë e rrezikshme dhe ka sjellë instabilitet, konflikte dhe madje edhe luftëra. Nëse Ballkani do t’iu kthehej përsëri përçarjeve ekonomike në vend të bashkëpunimit, atëherë cili do të ishte rezultati? Të gjithë së bashku duhet t’i kujtojmë skeptikët e BE-së se përpjekjet për të sunduar ekonomikisht të tjerët kanë kontribuar jo pak në gjetjen e preteksteve për nisjen e luftërave të viteve të 90-ta në Ballkan.

Republika e Kosovës ka theksuar gjithmonë qartë ndaj Evropës dhe gjithkujt: Kosova mbetet e përkushtuar ndaj parimeve evropiane.

Ne kërkojmë Shengenin e vërtetë dhe Evropën e vërtetë. Jo mashtrimin e Shengenit, i cili shkakton përçarje të rrezikshme.

Çfarë duhet të bëjmë?

Duhet të hapim debatin rreth fërkimeve në Ballkan. Duhet të hapim debatin rreth Shengenit të vërtetë, tregut të vërtetë të përbashkët.

Kohët e rrezikshme në Ballkan akoma nuk kanë kaluar. Koncepti i rrezikshëm i Shengenit është edhe një dëshmi e këtij fakti.

Duhet t’i kthehemi rrugës sonë për të siguruar një të ardhme me paqe dhe prosperitet.

(r.m.)