Gërvalla: Serbia duhet ta pranojë shtetin e Kosovës dhe të dalë nga errësira

Nju Jork, 13 prill 2021 – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe Serbia duhet ta pranojë këtë dhe të dalë nga errësira.

“Pavarësia e Kosovës është e kryer. Sa më shpejt që e pranon këtë Serbia, ajo do të dalë nga errësira në një të ardhme të ndritur. Të fillojmë një histori të re”, ka thënë Gërvalla, në takimin e radhës për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që u mbajt online.

Zonja Gërvalla ka thënë se Kosova mbetet e hapur për vazhdimin e dialogut me Serbinë, pavarësisht prej dëmeve qëi janë shkaktuar nga Serbia.

“Ne mbesim të hapur, me gjithë dëmin që na ka shkaktuar Serbia, të zgjatim dorën dhe të fillojmë një epokë të re”, ka thënë Gërvalla.

Por, ajo ka kërkuar që Serbia të identifikojë kriminelët e luftës dhe t’i ndëshkojë ata.

“Asnjë nga serbët për kryerjen e këtyre veprave nuk është mbajtur përgjegjës asnjëherë. Serbia duhet të dijë se duhet të paguajë për krimet e saj dhe duhet të bëjë përpjekje që të bëhet një vend vërtet i civilizuar”, ka theksuar  Gërvalla.

Në këtë kontekst, ajo e ka përmendur edhe rastin e vrasjesë së babait të saj, Jusuf Gërvalla, nga shërbimi sekret i Serbisë.

“Baba im është vrarë nga regjimi i Beogradit në tokë të huaj, në Gjermani. Fëmijëve të mi u them se nuk ka të bëjë me serbët, por Serbia duhet ta bëjë dallimin, duhet t’i sjellë kriminelët e luftës para drejtësisë”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka folur edhe për prioritetet e qeverisë së re të Kosovës. Ajo ka thënë se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit Kosova ka hyrë në epokë të re politike dhe ka theksuar se Qeveria e re e Kosovës do të punojë për reforma në drejtësi, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Shefja e diplomacisë së Kosovës kafolur edhe për situatën pandemike. Ajo kathënë se procesi i vaksinimit kundër koronavirusit në Kosovë ka nisur më 29 mars, pas sigurimit të 24.000 dozave të vaksinës “AstraZeneca”, përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ajo ka thënë se Kosova përmes këtij programi, në periudhën prill-qershor, do t’i pranojë edhe 76.800 doza tjera të vaksinës “AstraZeneca”, si edhe mbi 100.000 doza të vaksinës “Pfizer/BioNTech”, deri në fund të qershorit.

Ministrja Gërvalla i ka falënderuar të gjitha vendet mike dhe aleate të Kosovës që kanë ndihmuar në përballimin e krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia dhe në sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit.

Për situatën në Kosovë ka folur edhe shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin. Ndër të tjera, ai e ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe pjesëmarrjen në këto zgjedhje.

Tanin ka thënë se Qeveria e re e Kosovës ka përpara shumë mundësi, por edhe shumë sfida me të cilat duhet të ballafaqohet.  Ai ka veçuar premtimet e kryeministrit Albin Kurti për hapjen e vendevde të reja të punës dhe për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Shefi i UNMIK-ut ka thënë se për një transformimmë të thellë politik, ekonomik e shoqëror është i nevojshëm bashkëveorim i pushtetit dhe opozitës.   

“Hapja e dyerve për të ardhmen kërkon transformim dhe ndryshim të prioriteteve, të cilat reflektohen në fjalë dhe vepra. Ulja e tensioneve po ashtu kërkon që pushteti dhe partitë opozita dëshmojnë aftësitë e tyre për t’u bashkuar në interesa më të gjera”, ka thënë ai.

Z. Tanin kafolur edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Ndër të tjera, ai ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti,dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kabiseduar për rëndësinë e vazhdimit të dialogut.

Ai ka theksuar se nuk ka formulë për dialog dhe se zgjidhja duhet të burojë nga tryeza e dialogut.

(r.m.)

One Response to “Gërvalla: Serbia duhet ta pranojë shtetin e Kosovës dhe të dalë nga errësira”

Read below or add a comment...

  1. Gege Kosova says:

    Mos e ‘udhezoni” shtein serbe.Por, kekroni ate qe te jemi te barabarte.Kjo ehte ,pa njohjen e shtetit te Kosoves,Serbia nuk mund te ulet ne bisedime me Kosove.Kjo eshte esenca e kerkeses per bsideime.Pa barazi, nuk mund te bisdehet ,kur dy shtete apo subjekte nuk jane te barabarta.

Comment

*