Gërvalla: Serbia, e nxitur nga Rusia, kërcënon paqen e stabilitetin në rajon

Londër, 13 dhjetor 2021 – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar të hënën në Londër se Serbia, e nxitur nga Rusia, po e kërcënon sigurinë në rajon.

“Nacionalistët serbë po e kërcënojnë Kosovën me luftë, po provokojnë ndarje në Bosnje dhe Hercegovinë, siç bënë edhe në vitin 1991, dhe po përpiqen të destabilizojnë së brendshmi edhe vendet tjera. Këto nuk janë incidente të veçuara, ato janë pjesë e një fushate sistematike për destabilizimin e rajonit, e ndërmarrë nga Rusia dhe përfaqësuesja e saj Serbia”, ka thënë Gërvalla, në Samitin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Londër.

Ajo ka thënë se para pak javësh Serbia ka dërguar në kufi me Kosovën trupa shtesë me automjete të blinduara dhe aeroplanë luftarakë.

“Fqinji ynë verior, Serbia, e kërcënoi vendin tonë me luftë para pak javësh, duke dërguar trupa,  automjete të blinduara, bile edhe aeroplanë luftarakë në kufirin tonë, ndërsa ambasadori rus në Serbi iu bashkëngjit trupave dhe e mirëpriti këtë akt agresioni”, është shprehur ajo.

Zonja Gërvalla ka thënë se muajt e fundit Serbia e lansoi strategjinë për shtrirje në vendet fqinje, me moton “Bota Serbe”, e cila, në esencë, është riformulim i aspiratës për Serbinë e Madhe.

Ajo ka folur edhe për mohimin e krimeve të luftës që forcat serbe i kanë kryer në Kosovë, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci, si edhe për madhërimin e kriminelëve të luftës nga autoritetet e Serbisë.

“Udhëheqësia aktuale serbe po e rrit në mënyrë sistematike propagandën dhe gjuhën e urrejtjes në kuadër të programit të qeverisë për ta sulmuar Perëndimin dhe NATO-n për ndërhyrjen humanitare dhe për ta barrikaduar Serbinë prapa një qasjeje agresive, përsëri, kundër fqinjëve të saj”, ka theksuar ajo.

Ministrja Gërvalla u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës,Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar që t’u kundërvihen kërcënimeve për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Po deshëm ta shpëtojmë paqen, duhet të veprojmë me mençuri dhe shpejt. Mbretëria e Bashkuara, pa dyshim, do të jetë në anën tonë në këtë betejë për stabilitetit dhe paqe. Dhe për këtë jemi vërtet mirënjohës. Nëse jemi të suksesshëm, do të vazhdojmë me atë që duhet të jetë preokupimi ynë kryesor: bashkëpunimi për të mirën e vendeve tona dhe të qytetarëve tanë”, ka  thënë ajo.

May be an image of 7 people and indoor

(r.m.)