Gëzuar ditëlindjen, i dashur Kadare!

Rozi Theohari

Rozi Theohari

Miss Mourin Edison, pedagogia ime e North Shore Community College, më kishte lajmëruar se dëshironte të më takonte në kishë të dielën e 30 dhjetorit 2012. Pas shërbesës kishtare e prita mes grumbullit të besimtarëve dhe ajo u afrua me një paketë të mbështjellë në dorë.
“Është një dhuratë për ty…për festat e fundvitit,” – më tha. Kur e çmbështolla letrën, doli libri i Kadaresë “The Successor”, i lidhur me një fjongo të bardhë të mëndafshtë.
Miss Edison, pedagoge e letërsisë ndërkombëtare, një nga lexueset dhe kritiket e veprës së Kadaresë, më tha: “ Ju shqiptarët duhet të jeni krenarë me Kadarenë, këtë figurë të madhe të letërsisë. Emri dhe librat e tij, që janë vetëdija e kombit (the nation’ conscience), ju shoqërojnë ju shqiptarët kudo ku ndodheni nëpër botë…Ja përse, këtë dhuratë doja të ta jepja në dorë. Doja të shtoja edhe këto fjalë…”
Ajo më porositi, gjithashtu, t’i dërgoja shkrimtarit shqiptar “Happy Birthday” (urimet e saj për ditëlindjen). E falënderova dhe e përqafova pedagogen time.
Në prill të 2006-s në klubin e shkrimtarëve dhe të poetëve të kolegjit tonë, Miss Edisoni ishte referuesja kryesore e veprave të Kadaresë. Qysh atëhere kanë kaluar vite.
Lexuesi amerikan sot gjen jo vetëm një, por një krah me libra të Kadaresë në raftet e librarive dhe bibliotekave, qoftë edhe në qytetet e vogla. Po, vepra e tij kapërceu male e oqeane e u bë mesazh e retorikë e lexuesve të racave e kulturave të ndryshme. Lexuesi shqiptar, i shpërndarë në gjithë rruzullin, e lexon veprën e Kadaresë edhe në gjuhë të ndryshme që ai parapëlqen. Dhe ai ndihet i befasuar e krenar kur diskuton e shkëmben mendime për shkrimtarin tonë me lexues e studiues të huaj. Vepra dhe idetë kadareane i ngrenë në një nivel të lartë kulture marrëdhëniet e shqiptarëve të diasporës me komunitetin ku ata punojnë e banojnë. Lexuesit e sotëm dhe ata që nuk kanë lindur akoma… një maratonë e vërtetë admiruesish, që do të magjepsen me magjinë kadareane….
“Vepra e tij i shërben jo vetëm lexuesit të thjeshtë,- ka thënë i përndershmi At Liolin,- por edhe shkrimtarëve, shkencëtarëve dhe analistëve të mbarë botës…Vepra e Ismail Kadaresë është një përgjigje e pyetjes: “cili është shqiptari?”
Me iniciativën e shoqatave shqiptaro-amerikane të Bostonit dhe me përkrahjen e z. Anton Athanas dhe djemve të tij janë kremtuar disa herë ditëlindjet e Ismail Kadaresë nga shqiptarët e Massaçusettsit në restorantin e dëgjuar “Pier 4”, ku kanë marrë pjesë të gjithë shqiptarët nga trevat shqipfolëse.
Këto darka janë kthyer në mbrëmje letraro-artistike, në të cilat janë recituar poezitë dhe janë lexuar pjesë të zgjedhura nga krijimtaria e shkrimtarit tonë të madh, nga fëmijët e shkollave dhe nga artistët e talentuar shqiptarë.
Pjesëmarrësit, të emocionuar, kanë shënuar emrat e tyre në lista të gjata, të cilat i janë dërguar Kadaresë së bashku me letrat përshëndetëse, duke shprehur dashurinë, krenarinë dhe respektin për figurën e tij.
Në komunitetin rus të Bostonit ndër miqtë e mi kam njohur lexues rusë të Kadaresë të ardhur nga ish-Bashkimi Sovjetik, e që vazhdojnë të jenë lexues edhe sot në rusishte dhe në anglishte. Ata e thërresin “Smail Kadare” dhe më kanë dhënë emrat e tyre për të përshëndetur zotin Kadare. Mes tyre edhe emri i poetit plak Aleksandër Eseninit, djalit të Eseninit të famshëm. Kori rus “Fargenign”, ku marr pjesë, përshëndeti ditëlindjen e shkrimtarit tonë me një këngë ruse.
Dërgojmë urimet tona për ditëlindjen, në emër të lexuesve shqiptarë, amerikanë dhe atyre rusë të rajonit të Bostonit.