Giacobbe: Viti 2021 dëshmoi se partneriteti SHBA-Kosovë është më i fortë se kurrë

Prishtinë, 31 dhjetor 2021 – I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, dhe bashkëpunëtorët e tij amerikanë në Kosovë, kanë uruar Vitin e Ri 2022 dhe kanë përcjellë mesazhet e tyre, përmes një videoregjistrimi të shpërndarë në Twitter.

Në videoregjistrim janë përfshirë disa prej veprimtarive të përbashkëta mes Kosovës dhe SHBA-së gjatë vitit 2021.

Giacobbe ka thënë se viti 2021 ka provuar se partneriteti në mes të Amerikës dhe Kosovës është më i fortë se kurrë.

“Në vitin 2021 u shfaq këmbëngulja dhe qëndrueshmëria e Kosovës dhe kosovarëve. Viti 2021 provoi gjithashtu se partneriteti midis SHBA-së dhe Kosovës është më i fortë se kurrë. Këtu janë vetëm disa shembuj të përparimit që kemi bërë së bashku këtë vit. Gëzuar Vitin e Ri!”, ka shkruar Giacobbe.

Ndër të arriturat e përbashkëta të Kosovës dhe SHBA-së veçohen: strehimi i përkohshëm i shtetasve afganë në Kosovë, zbarkimi i ushtarëve të Kosovës bashkë me ushtarët amerikanë në Kuvajt, mbështetja për përballimin e pandemisë së koronavirusit dhe bashkëpunimi me institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

(r.m.)