Gjashtë anije do të blejë ushtria e Shqipërisë për Flotën Luftarake Detare

Për herë të fundit Shqipëria bleu anije luftarake në vitin 2008, gjithsej 4 me vlerë 20 milionë euro.

Knid Ndrenika

Shqipëria planifikon të blejë gjashtë anije ushtarake për armatosjen e Flotës Luftarake Detare si dhe për armatosjen e efektivëve me mjete luftimi.

Për këtë qëllim, në projektbuxhetin e shtetit të vitit 2022 janë parashikuar të ardhura për blerjen e 6 anijeve nga 25 deri në 30 metra të gjata.

Vlera e parashikuar në buxhet për të porositur anijet në vitin e ardhshëm është 2 miliardë e 200 milionë lekë (1 euro këmbëhet në tregun valutor me 121,0 lek).

Kuadri i plotë për blerjen e anijeve është parashikuar për një periudhë 3-vjeçare të ndara 600 milionë lek pagesë në 2023 dhe 1 miliardë në 2024.

Gjithashtu për Flotën Luftarake Detare nga ministria e Mbrojtjes është parashikuar sigurimi i sinjalit satelitor prej 14 milionë lekësh brenda 3 vjetëve.

Gjithsej për armatosjen e Flotës Luftarake Detare janë paraparë 90 milionë lekë si dhe fonde të tjera për rehabilitimin e ndërtesave të forcave detare.

Për herë të fundit Shqipëria bleu anije luftarake në vitin 2008, gjithsej 4 me vlerë 20 milionë euro.