Gjendet trupi i viktimës së 45-të i aksidentit në Bullgari

Sofje, 26 nëntor 2021 – Gjatë kontrollit shtesë të autobusit të aksidentuar në autostradën Struma në Bullgari është gjetur edhe një trup i pajetë, duke çuar kështu dhe zyrtarisht numrin e viktimave në 45.

“Në autobusin e djegur është gjetur trupi edhe një udhëtari, i cili është dërguar në Institutin për Hetime në Bullgari. Bëhet fjalë për një person të moshës së re”, ka deklaruar të premten, më 26 nëntor, kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski.

Kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Joveski, ka thënë se në Shkup kanë arritur prokurorët bullgarë, të cilët gjatë ditës së shtunë do të marrin mostrat nga familjarët e viktimave për të kryer identifikimin e viktimave përmes ADN-së.

Autobusi, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë nga flakët në një autostradë në jugperëndim të Sofjes, mëngjesin e 23 nëntorit, ku për pasojë humbën jetën 45 pasagjerë. Shumica e udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut, ishin turistë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë.

Të enjten, zëvendëskryeprokurori dhe drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar në Bullgari, Borislav Sarafov, kishte thënë se në vendin e aksidentit janë gjetur trupat e 44 personave, tetë kanë mbijetuar, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur.

Sipas Sarafovit, gabimi njerëzor është dyshimi kryesor që besohet të ketë shkaktuar aksidentimin e autobusit.

(REL)

Comment

*