Gjenerali amerikan analizon dobësitë e rusëve: Ja pse lufta është në favor të ukrainasve

Atlanta (US), 16 mars 2022 – Gjenerali amerikan në pension, David Petraeus, ka bërë për CNN një analizë të situatës në Ukrainë, përballjes së ushtrisë ruse me ushtrinë ukrainase dhe performancës së dobet të ushtrisë ruse.

Petraus ka thënë se ushtria ruse po përballen me ushtrinë jashtëzakonisht të vendosur, të aftë dhe novatore të Ukrainës, e cila lufton për mbijetesën kombëtare në territorin e saj.

“Ka shumë arsye për performancën e dobët të rusëve. Ata po luftojnë kundër forcave shumë të vendosura, mjaft të afta ukrainase të përbëra nga forca speciale, forca konvencionale, forca territoriale, por edhe nga qytetarë të cilët janë të vendosur të mos e lejojnë Rusinë të arrijë qëllimet e saj. Ata po luftojnë për mbijetesën e tyre kombëtare, për atdheun e tyre dhe për mënyrën e tyre të jetesës. Përveç kësaj ata e kanë edhe avantazhin e terrenit vendës dhe të njohjes së komunitetit. Por, përveç kësaj, çuditërisht, rusët janë thjesht joprofesionistë. Ata, pa dyshim, kanë standarde shumë të dobëta, kur bëhet fjalë për kryerjen e detyrave bazike taktike, siç është zbatimi i operacioneve të kombinuara që përfshijnë këmbësorinë, inxhinierinë, artilerinë dhe mortajat. Ata kanë mirëmbajtje shumë të keqe të automjeteve dhe të sistemeve e të armëve të tyre, prandaj kanë braktisur shumë prej tyre. Gjithashtu, ata janë të dobët në furnizim dhe logjistikë”, ka thënë gjenerali Petraus.

Ai ka thënë se rusët po tregojnë edhe një sërë dobësishtjera: planifikim të gabuar, nënvlerësim të ushtrisë dhe të popullit ukrainas, mirëmbajtje dhe logjistikë e pamjaftueshme, pajisje jo mbresëlënëse, mbështetje te rekrutët ushtarakë dhe paaftësi për të organizuar luftë efektive kibernetike.

Petraeus ka thënë se është skeptik se Rusia ka fuqi të mjaftueshme për të marrë nën kontroll Kievin dhe qytetet tjera të mëdha. Ai ka thënë se lufta në zonat urbane është më shumë në favor të ukrainasve, por theksoi se rusët “kanë një histori të pasur” të shkatërrimit të qyteteve, të institucioneve civile dhe të infrastrukturës thelbësore.

Ish-komandanti i forcave amerikane në Irak dhe në Afganistan ka parashikuar që në planin afatshkurtër Rusia do të pësojë humbje të mëdha në Ukrainë, ndonëse do të shkaktojë gjithnjë e më shumë viktima dhe shkatërrime të infrastrukturës dhe të shërbimeve elementare për popullin ukrainas.

Por, Petraus ka thënë se, megjithatë, ekziston edhe mundësia e arritjes së marrëveshjes për armëpushim, pasi të dyja palët e pranojnë dëmin dhe shkatërrimin e shkaktuar në vendet e tyre.

(r.m.)