Gjeneralmajore Irfete Spahiu emërohet Inspektore e Përgjithshme e FSK-së

Prishtinë, 27 maj 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dektretuar gradimin e gjeneral brigade Irfete Spahiut në gjeneralmajore dhe e ka emëruar Inspektore të Përgjithshme të Forsës së Sigurisë së Kosovës.

Në ceremoninë e dekretimit, Presidentja Osmani e ka përgëzuar gjeneralmajoren Spahiu, duke i uruar suksese të reja në ngritjen e saj profesionale dhe në ushtrimin e detyrës së re.

Ajo ka thënë se emërimi i gjeneralmajores Spahiu në pozitën e Inspektores së Përgjithshme të FSK-së do t’i kontribuojë vazhdimit të ngritjes profesionale të FSK-së.

Presidentja Osmani ka shprehur kënaqësinë që gjeneralmajorja Spahiu bëhet gruaja e parë me këtë gradë dhe ka bërë thirrje që sa më shumë gra të përfshihen në përbërjen dhe në udhëheqjen e FSK-së.

“FSK-ja po forcohet dhe profesionalizohet vazhdimisht. Vendosja e grave në pozita drejtuese do ta bëjë ushtrinë tonë më të fortë, më të besueshme dhe më profesionale. Pata nderin sot që gjeneral brigade Irfete Spahiun ta dekretoj me gradën gjeneralmajore dhe Inspektore Gjenerale në FSK.

Është hera e parë në historinë e shtetit të Kosovës dhe ushtrisë sonë që në hierarkinë e saj ta kemi gjeneralmajore një grua.

Gjenerale Spahiu është një ndër shtyllat e FSK-së, ndaj duhet bërë edhe më shumë që sa më shumë gra të përfshihen në përbërjen dhe udhëheqjen e FSK-së”, ka thënë Presidentja Osmani. 

(r.m.)