Gjeorgjia denoncon planet e Osetisë së Jugut për bashkim me Rusinë

Tbilisi, 31 mars 2022 – Gjeorgjia denoncoi të enjten si të papranueshme planet e shpallura nga separatistët pro-Moskës në rajonin separatist të Osetisë së Jugut, për të mbajtur një referendum për bashkim me Rusinë.

Osetia e Jugut ishte në qendër të luftës ruso-gjeorgjiane në vitin 2008, pas së cilës Kremlini njohu territorin si shtet të pavarur së bashku me rajonin tjetër separatist, Abkhazinë, si dhe vendosi baza ushtarake atje.

Të mërkurën, udhëheqësi separatist i Osetisë së Jugut Anatoli Bibilov tha se shteti do të mbajë një referendum për bashkimin me Rusinë menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale të 10 prillit.

Ministri i Jashtëm i Gjeorgjisë David Zakalaliani tha të enjten është e papranueshme të flitet për referendum ndërsa territori është i pushtuar nga Rusia.

“Një referendum i tillë nuk do të kishte fuqi ligjore”, u tha ai gazetarëve. Sipas tij Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në një vendim të saj ka dalë në përfundimin se ky rajon i Gjeorgjisë është i pushtuar nga Rusia.

Të enjten zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor mbi këtë çështje. Por ai se në këtë rast bëhet fjalë për mendimin e popullatës së Osetisë së Jugut dhe se Moska do ta trajtonte atë me respekt. Javën e kaluar, zoti Bibilov tha se Osetia e Jugut kishte dërguar trupa për të luftuar së bashku me trupat ushtarake ruse në Ukrainë.

Në gusht të vitit 2008, Rusia nisi një sulm kundër Gjeorgjisë, e cila po luftonte me milicinë pro-ruse në Osetinë e Jugut, pas bombardimit nga këta të fundit të fshatrave gjeorgjiane. Luftimet përfunduan pas pesë ditësh me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Por lufta shkaktoi vdekjen e më shumë se 700 personave si dhe nxiti shpërnguljen e dhjetëra mijëra gjeorgjianëve etnikë.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*