Gjermania angazhohet për integrimin e Shqipërisë në BE

Tiranë, 18 janar 2022 – Gjermania kërkon integrimin sa më shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Mesazhi u përsërit edhe në Tiranë nga ministrja gjermane për Evropën dhe Klimën, Anna Luhrman.

Por, a është Berlini zyrtar pro ndarjes së Tiranës dhe Shkupit?

“Kemi marrë sinjale shumë pozitive edhe nga Bullgaria në këtë kontekst dhe do të vazhdojmë të angazhohemi që ne të mund të gjejmë në një moment sa më të afërt të mundshëm edhe zgjidhjen më të përshtatshme”, tha Luhrman.

Për zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, Shqipëria pret që në 6 muajt në vijim të ulet në konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian.

“Sot që flasim nuk ka asnjë vend anëtar i BE që të ngre një problematikë me Shqipërinë që ta pengojë në hapjen formale të negociatave”, u shpreh Ahmetaj.

Luhrman u shpreh se procesi i Berlinit mbetet prioritet i qeverisë së re gjermane.

“Ne përshëndesim angazhimin për bashkëpunimin rajonal mes kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe e kuptojmë mjaft mirë dëshirën e tyre për të bërë para në këtë proces. Këtu është e qartë që rruga duhet të ndjek kursin e bashkëpunimit të të 6 vendeve dhe që procesi duhet të vazhdojë të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjithë”, tha ministrja gjermane.

Ajo vuri theksin edhe te reformat që po kryen Shqipëria për të luftuar korrupsionin dhe bëri thirrje për vijim e tyre pasi në të kundërt hapat pas do e dëmtonin vendin.

(Euronews.al)