Gjermania emëron të dërguarin e saj të posaçëm për Ballkanin Perëndimor

Berlin, 18 shkurt 2022 – Qeveria gjermane emëroi të premten politikanin Manuel Sarrazin, si të dërguar të posaçëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Zoti Sarrazin, që është nga radhët e të gjelbërve, ishte deputet në Bundestag nga viti 2008 deri në vitin 2021.

Bashkëpartiakja e tij, Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, duke e përgëzuar zotin Sarrazin tha se “Ballkani Perëndimor ka nevojë për një mbështetje të fuqishme nga Bashkimi Evropian”, ndërsa e cilësi atë si mbështetës të fuqishëm të zgjerimit të bllokut.

Zoti Sarrazin do të jetë i dërguari i katërtë perëndimor për rajonin. Aktualisht zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar është në postin e të dërguarit të posaçëm amerikan, Sir Stuart Peach i dërguar i posaçëm i Britanisë së Madhe, ndërsa Miroslav Lajçak, në detyrën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Që të gjithë janë pjesë e përpjekjeve për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Në fillim të muajit shkurt i dërguari amerikan, Gabriel Escobar dhe ai evropian, Miroslav Lajçak, qëndruan në Prishtinë dhe në Beograd në kuadër të përpjekjeve për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Javën e ardhshme në Bruksel pritet një takim ndërmjet kryenegociatorëve të të dyja palëve, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç, që shihet si pjesë e përpjekjeve për të siguruar një takim midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Takimi i fundit i nivelit të lartë është mbajtur në korrik të vitit të kaluar. Zyrtarët evropian shpresojnë që ata të takohen gjatë muajit të ardhshëm, ndonëse pritjet për ndonjë përparim janë të pakta, meqë Serbia mban zgjedhjet presidenciale e parlamentare në fillim të muajit prill.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet fundit në proceset integruese.

(Zëri i Amerikës)