Gjermania ia dorëzon Ukrainës 18 tanke “Leopard 2”

Berlin, 27 mars 2023 – Forcat e armatosura të Ukrainës kanë marrë 18 tanke moderne luftarake “Leopard 2”A6 nga Gjermania, konfirmoi të hënën kancelari Olaf Scholz gjatë një konference për media me kryeministrin holandez, Mark Rutte, në Roterdam.

“I kemi dorëzuar, ashtu siç është paralajmëruar”, tha Scholz.

Për arsye sigurie, institucionet qeveritare gjermane nuk kishin bërë publike asgjë në lidhje me transportin e tankeve

Më 25 janar, pas një beteje të gjatë politike të brendshme, Qeveria e Gjermanisë u pajtua për të dërguar tanke “Leopard 2” në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.

Polonia ishte shteti i parë që në fillim të marsit dërgoi 4 tanket e para “Leopard 2” në Ukrainë.

Kievi ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Krauss-Maffei Wegmann, prodhues i “Leopard 2”-shit, e cilëson atë si “tankun më të mirë në botë për betejë”, i cili për gati gjysmë shekulli ka kombinuar aspektet e fuqisë, mbrojtjes, shpejtësisë dhe manovrueshmërisë, duke e bërë atë të përshtatshëm për shumë lloje të situatave të luftimit.

Tanku me peshë prej 55 tonësh ka vend për një ekuipazh prej katër personash, rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash dhe shpejtësi maksimale prej rreth 68 kilometrash në orë. Versioni më i hershëm i tankut, i cili tani ka katër variante kryesore, hyri në përdorim në vitin 1979. Arma e tij kryesore është një top 120-milimetërsh, ndërsa ai ka një sistem krejtësisht digjital të kontrollimit të të shtënave

Përveç Polonisë dhe Gjermanisë, edhe shtetet e tjera evropiane i kanë premtuar Ukrainës tanket “Leopard 2”. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të dërgojnë në Ukrainë tanket e fuqishme Abrams.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha më 13 mars në një takim virtual të të ashtuquajturit grupi Ramstein i dhjetëra vendeve që kanë ofruar armë për Kievin, se gjithsej nëntë vende janë zotuar ta furnizojnë Ukrainën me 150 tanke Leopard.

(REL)